Kombetarja

Panuçi optimist për eliminatoret: Do të ndryshojmë që nga stërvitja

Jemi gati një muaj nga fillimi i eliminatoreve të kampionatit europian “Euro 2020” dhe trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Kristian Panuçi duket gati për këtë sfidë të re. Në një intervistë për “Top Channel”, Panuçi ka bërë skanerin e të gjithë kombëtares, por edhe pritshmëritë që ka nga ekipi për të shkuar sërish në Europian, si tre vite më parë. Tekniku italian duket se e ka lënë pas eksperiencën e hidhur të Ligës së Kombeve dhe tashmë shikon me optimizëm përpara.

“Tani po i shohim të gjithë, janë edhe lojtarët që janë kthyer nga dëmtimet, që po i mbaj në vëzhgim. Sigurisht idenë e grupit e kemi, por po ndjekim edhe ndonjë lojtar të ri, kështu që mund të të them se jam optimist për ndeshjet kualifikuese të Europianit. Gati një vit e gjysmë më parë, pata thënë që do të bëjmë disa eksperimente dhe do të provojmë gjëra të reja. Mund të përmendim që kanë debutuar 22-23 lojtarë të rinj, por në kombëtare mbetet shumë pak kohë për të punuar. Është e nevojshme që të marrim maksimumin dhe sigurisht unë diçka duhet të ndryshoj. Është faji im, se u mundova që t’i jap një ide kësaj skuadre, por me sa duket nuk ka kohë për t’i dhënë një ide. Do të ndryshojmë diçka duke filluar që nga mënyra e stërvitjes”,- tha Panuçi.

Sa i përket objektivit për këto eliminatore, Panuçi ishte i qartë, duke thënë se do të jetë shumë e vështirë dhe do të nevojitet një super sezon nga ana e ekipit kuqezi që të mund të shkojmë në finalet e “Euro 2020”. “Synimi është që të bëjmë diçka speciale. Ne jemi të katërtit në grup, pas Francës, Turqisë dhe Islandës. Për të shkuar më tej duhet të bëjmë diçka speciale dhe unë jam i bindur që i kemi mundësitë. Nëse do t’ia dalim, atëherë të gjithë jemi të kënaqur; nëse nuk ia dalim dhe presidenti nuk është i kënaqur, Panuçi ikën në shtëpi.”

Një temë delikate për Panuçin ka qenë edhe ajo për çështjen e aktivizimit të lojtarëve kuqezinj në ekipet e tyre në kampionatet ku luajnë. Për Hysajn ai uroi që të ketë sa më shumë minuta në këmbë, ndërsa për Gjimshitin ishte i lumtur me formën që po kalonte. “Sigurisht të mos aktivizohesh është gjithmonë një problem. Elsi është një lojtar që punon shumë, futbollist ekspert me shumë eksperiencë dhe një djalë pozitiv. Uroj që të luajë ndonjë ndeshje deri në fund të sezonit, që të paktën të jetë në gjendje për të luajtur në grumbullimin e ardhshëm. Më vjen mirë, ndërkohë, për Gjimshitin, që po aktivizohet dhe po bën paraqitje të mira tek Atalanta. Ky fakt më fut disi në dyshime, nëse do të më duhet të luaj me 3 apo me 4 mbrojtës”, tha Panuçi.

Ndërkohë sa i përket zërave të merkatos që e kanë çuar atë në disa ekipe të ndryshme italiane, Panuçi ishte i qartë në përgjigjen e tij, duke sqaruar se për çdo gjë ai fillimisht do të bisedojë me presidentin Armando Duka, duke qenë se me të ka një raport shumë korrekt.
“Nuk më ka telefonuar asnjëherë askush. Nëse nesër do të më telefonojnë Real Madrid, Paris SG, Partizani apo Kukësi, një sekondë më pas unë do të telefonoj drejtpërdrejt presidentin, sepse me të kam një raport shumë korrekt. Por, nuk më ka telefonuar askush. Unë jam shumë i kënaqur që ne vazhduam bashkë përpara, besoj edhe Presidenti që gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka mbrojtur. Duhet të them që unë nuk kam as median pas vetes, por jam një njeri serioz dhe Presidenti e di këtë”,- tha Kristian Panuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë