Krejt i qetë është paraqitur në konferencën për shtyp trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ndryshe nga sa u pa të dielën në Durrës, ku turfullonte dhe lëshonte akuza për lojtarët që nuk luajnë, por edhe për një “komplot” të mundshëm ndaj tij. Situata duket se ka ndryshuar shumë shpejt dhe italiani ka folur me besim për ndeshjet e ardhshme. Për miqësoren me Jordaninë ai u shpreh se do ta ndihmojë që të përgatitet në mënyrën e duhur ndeshja në Izrael. Panuçi theksoi se Shqipëria, nëse i ka të gjithë lojtarët të gatshëm, i ka mundësitë të pretendojë sërish të shkojë në Europian.
“Aktualisht kemi disa lojtarë që nuk janë në gjendjen optimale, sepse nuk kanë luajtur rregullisht, si për shembull Grezda, Mavraj, Gjimshiti. Fryma në skuadër është pozitive dhe djemtë kanë punuar mirë, ndaj pres maksimumin edhe në miqësoren me Jordaninë, pasi është një ndeshje kombëtareje. Jordania ka një ngjashmëri në lojë me Izraelin dhe kjo ndeshje do të na ndihmojë. Ne po shohim shumë lojtarë në këtë moment dhe kur të jetë rasti, do t’i marr ata që më bindin, siç kam bërë me Vrionin dhe Uzunin. Dyert e Kombëtares janë të hapura për të gjithë. Këtë herë mendova të marr Lenjanin në vend të Demirit, pasi ka më shumë përvojë dhe ngaqë javët e fundit ka luajtur. Por kjo nuk do të thotë se nuk do ta marr më Demirin. Më pëlqen shumë Uzuni, për karakteristikat që ka, pasi nuk kemi si ai në ekip. Edhe Vrioni është shumë i talentuar.

Limitet e ekipit? Nëse shkon në Skoci me shumë mungesa titullarësh si Roshi, Grezda, Sadiku, Ajeti, Mavraj, Abrashi etj., patjetër që skuadra ka më pak mundësi. Nëse i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, patjetër që mund të bëjmë më mirë dhe i kemi mundësitë për të pretenduar Europianin. Në Skoci na mungoi edhe Basha, pasi nuk arriti të rikuperohej nga ndeshja me Izraelin. Kroacia pësoi 6 gola në Spanjë, kurse Italia nuk ka mundur të fitojë në ndeshjet e fundit. Nuk është se ishte problem skeme humbja në Skoci. Jam shumë i qetë, nervozohem vetëm kur humbas”, – u shpreh trajneri i Kombëtares shqiptare.
Në fund Panuçi ka dashur të sqarojë njëherë e mirë edhe çështjen e kapitenit: “Duke parë se është bërë çështje ndërkombëtare ajo e kapitenit, dua të sqaroj se kam folur me presidentin dhe me grupin e lojtarëve. Kemi vendosur që ata të zgjedhin një kapiten dhe dy zëvendëskapitenë. Nuk është e thënë që kapiteni të luajë patjetër. Kështu ndoshta është më mirë”.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.