Kombetarja

Panuçi ngre zërin: Lojtarët duhet të tregojnë se janë shqiptarë

Trajneri i kombëtares, Christian Panuçi ka dalë jashtë rutinës së zakonshme edhe këtë të dielë, ku beftas u paraqit në konferencë për shtyp në ambientet e kompleksit ku do të grumbullohet ekipi. Tekniku italian ka dalë para medieve plot tre ditë para zhvillimit të ndeshjes, ku sigurisht nuk ka folur vetëm për përballjen e ardhshme, miqësoren me Jordaninë. Gjatë fjalës së tij për shtyp trajneri kuqezi u shpreh edhe me tone të larta sa i përket angazhimit që do duhet të kenë disa lojtarë me ekipin kombëtar.

Së pari, Panuçi ka sqaruar arsyen e mos thirrjes së futbollistëve që luajnë në kampionatin shqiptar në ekipin përfaqësues.  “Për sa i përket lojtarëve që janë në Superligë, kam informacionet e duhura. Vij i shikoj sa herë që është e nevojshme. Nëse ka ndonjë lojtar të rëndësishëm në kampionatin shqiptar, shkoj e shikoj dhe i kam thirrur. Për sa i përket Uzunit, ai ka 5 ndeshje që aktivizohet dhe ka bërë shumë mirë. Gavazaj nuk është aktivizuar, por është pjesë e grupit tonë.”- u shpreh italiani.

Pse nuk grumbullohet Kristal Abazaj? “Abazaj ka 4 muaj që nuk luan. Pse duhet të vijë në Kombëtare? Këtu njerëzit mendojnë që të luajturit për kombëtaren është një vend pune. Jam takuar me të dhe më ka treguar që stërvitet shumë te Anderlehti, e nuk ia del dot më për shkak të intensitetit. Ka shumë sforcim dhe lodhet shumë. Në Ligën e Europës nuk është as në 23-she. Unë mërzitem se nuk e shoh as në pankinë atje, ndërsa ai mërzitet se nuk e grumbullova, çmenduri. Nëse është mërzitur, të përveshë mëngët.”- tha Panuçi.

Më tej trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Panuçi është ndalur në analizimin e ndeshjes së ardhshme miqësore, me Jordaninë. “Është shumë e rëndësishme për mua, që lojtarëve që iu mungojnë, t’iu jam minutat e duhura. Për këtë do ta shfrytëzoj edhe ndeshjet miqësore, siç këtë herë është kjo me Jordaninë. Më rezultojnë shumë lojtarë që nuk luajnë. Për këto dy ndeshje rikuperojmë Mavrajn që është një lojtar i rëndësishëm dhe me karakter. Më duhet të ma dëshmojnë disa prej lojtarëve se çfarë do të thotë të jesh në ekipin Kombëtar. Për mua ekipi Kombëtar është maksimalja. Ne nuk kemi lojtarë që luajnë në gjysmëfinalet e Championsit. Nuk jemi as Brazili as Franca. Duhet të më dëshmojnë seriozitet disa prej lojtarëve. Rini të qetë sepse unë e respektoj shumë Shqipërinë. Është e vërtetë kur kalojmë në avantazh pësojmë më pak. Ndodhi në Turqi, ndaj Izraelit. Uroj që Mërgim Mavraj të jetë në formë, sepse për ne është tepër i rëndësishëm. Duhet luajtur edhe me zemër. Nëse do të isha futbollist, do të isha zënë me grushte më disa lojtarë të kombëtares, por jam trajneri dhe duhet të mundohem t’i tregoj se si duhet të luajnë dhe se sa shumë duhet të japin.”- deklaroi tekniku italian.

Një temat më të rëndësishme për të cilën foli Panuçi në këtë konferencë ishte edhe debati për kapitenin që nuk është i zgjedhur ende në mënyrë definitive që pas largimit të Lorik Canës. “Nëse dikush prej lojtarëve e ka realisht peshën e një lideri duhet të ma demonstrojë në fushë. Më pas do ta vendos unë. Mavraj është një lojtar me personalitet të rëndësishëm, por duhet ta demonstrojë në fushë që është një lider. Nuk jam budalla, i marr vesh të gjitha. Pas Skocisë dikush tha pse luan Strakosha dhe nuk luan Berisha. Dikush tjetër, pse luan Berisha dhe jo Strakosha. E di se mund të jenë persona jashtë ekipit që merren me lojtarët e i organizojnë. Imagjinoni nëse do të veproja si Luis Henrike, që iu heq lojtarëve telefonin në mëngjes. Unë kështu kam zgjedhur dhe kështu do veproj. Lojtarët do të kenë komoditetin për të punuar dhe kjo është e rëndësishme.”- tha Kristian Panuci.

Edhe pse ka më shumë kohë, Panuçi ka folur edhe për ndeshjen me Izraelin që do të jetë sfida e tretë e ekipit kuqezi në kompeticionin Uefa Nations League. Panuçi u shpreh se në këtë ndeshje pret disa përgjigje nga lojtarët e tij, të cilët do të provohen në këto dy përballje. “Pres një përgjigje në ndeshjen ndaj Izraelit. Kur fitojnë ok shumë mirë. Kur humbasin ok shumë mirë. Duhet të tentojmë të luajmë në Europian, pasi jemi shumë pranë kualifikimit. Uroj që lojtarët të mbërrijnë me dëshirën për të fituar. Nëse na shënojnë, atëherë mund ta pësojmë keq. Do t’i pyes lojtarët se çfarë është për ata ekipi kombëtar. Për disa prej tyre, kuptohet jo të gjithë. Kemi shumë lojtarë të dëmtuar që nuk luajnë ose nuk janë në formë. Në miqësoren ndaj Ukrainës dhe Kosovës që na mungonin 12 lojtarë. Kam një plan specifik. Kemi rikuperuar Mavrajn dhe Grezdën, që nuk i ka minutat. Do t’ia japim këtë mundësi. Ne nuk jemi Brazili. Nuk kemi Nejmarin. Duhet patjetër të ndryshoj diçka nuk kam shumë kohë në dispozicion.”- deklaroi trajneri i kombëtares së futbollit.  

https://www.youtube.com/watch?v=i3hlkR6Bgiw

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë