Kombetarja

Panuçi në humor: Java më e lumtur, e kemi studiuar Izraelin

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, është shfaqur më në humor se kurrë më parë në koferencën për shtyp para ndeshjes me Izraelin. Ai theksoi se ndeshja do të jetë shumë e vështirë, por ka besim se ekipi që drejton mund t’ia dalë për të marrë pikë, pasi ka punuar shumë mirë. Trajneri italian e ka studiuar kundërshtarin në ndeshjen me Skocinë.

“Jam optimist për ndeshjen me Izraelin. Djemtë kanë punuar me profesionalizëm dhe kjo është java më e lumtur për mua që kur kam marrë drejtimin e Shqipërisë. Izraeli luajti tri ditë më parë dhe fitoi, por çdo gjë varet nga ne se sa do ta vëmë në vështirësi. Formacioni? Po, e kam vendosur si do të luajmë, por do të shihni para ndeshjes. Vendosa për lojtarët titullarë, pasi pashë Izrael-Skoci.

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi

Grezda është plotësisht gati, nuk ka asnjë shqetësim. E gjithë skuadra është shumë mirë, më vjen shumë keq për Mihajn, i cili është një djalë serioz, si dhe për Veselin. Izraeli bëri një ndeshje të madhe me Skocinë dhe fitoi 2-1. Ishte krejt ndryshe nga ndeshja jonë e parë, dukej si Skocia kundër nesh në Gllasgou. Kanë kualitet dhe do të jetë shumë e vështirë. Më vjen keq edhe për Balliun. Kishim dy dëmtime dhe i kërkuam Metzit lojtarin për arsye emergjence, por nuk e lejuan. Uroj t’i ndodhë kështu edhe trajnerit të Metzit me lojtarët e tij. Po, ftesa bëhet 14 ditë përpara, por ky rast ishte emergjent dhe trajneri i Metzit nuk u tregua profesionist.

Shpresoj të përsërisim fitoren në Izrael, por çdo ndeshje është histori më vete. Izraelin e njohim, sepse kemi luajtur me të dhe dimë që kanë ndryshime, por gjithsesi kanë një skuadër shumë të mirë. Do të bëjmë më të mirën për të marrë rezultat. Skemën do ta shikoni kur të nisë ndeshja, e vendos kapiteni”, - u shpreh me humor trajneri i kuqezinjve, Kristian Panuçi.

Në konferencë ka folur edhe kapiteni i ri i Kombëtares, Mërgim Mavraj, edhe ai me optimizëm për një rezultat pozitiv në Izrael: “Ndjesi e veçantë për mua, sepse kur je kapiten i sheh gjërat më me kujdes dhe trajneri bisedon ndryshe me ty. Mundohem të kontribuoj sa më shumë për të mirën e skuadrës. Formacioni? Nuk ka shumë rëndësi kush luan, rëndësi ka që sistemi i lojës të funksionojnë. Pak rëndësi, nëse luhet me 3, 4 apo 5 mbrojtës. Izraeli ka ndryshuar, është më i fortë dhe është përgatitur mirë, por ne do të luajmë me vetëbesim për të fituar”, - tha mbrojtësi kuqezi, që luan me Arisin në Greqi.

Mavraj gjatë miqësores me Jordaninë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë