Kombetarja

Panuçi: Mos më bëni fajtor, duhet të kemi 6 pikë pas Skocisë!

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot grumbullimin në Durrës, në kuadër të ndeshjeve me Skocinë dhe Uellsin, ku e para ka rëndësi të veçantë, sepse është e fundit në Ligën e Kombeve. Trajneri Kristian Panuçi ka dalë në konferencën e parë për shtyp pas shpalljes së listës. Ai e ka nisur konferencën me golat kuqezi të fundjavës: “Më vjen shumë mirë. Kanë shënuar Grezda, Gjimshiti dhe Kaçe,të cilët kanë gjetur motivim. Mendoj se Grezda tani është më mirë se në ndeshjet e fundit dhe pres të jetë më i motivuar. Kaçe shënoi në një ndeshje shumë të rëndësishme”.

Më pas, trajneri Panuçi ka prekur të gjitha temat që kanë të bëjnë me gjendjen aktuale të ekipit dhe dy ndeshjet e ardhshme, duke zbuluar edhe një bisedë me Sadikun: “E ftova Sadikun, por ai më dërgoi një mesazh më pas. Ishte i lumtur për grumbullimin, por dukeqenë se nuk është në 100%,  më kërkoi të mos e grumbulloja. Ai është në planet tona për të ardhmen. Ftova Kaçen, pasi Ylber Ramadani ishte i dëmtuar.

Ne Skoci e merituam humbjen, sepse i dhuruam golat. Vuajtëm agresivitetin e tyre dhe kishim raste me Balajn, ndërsa ndeshja e radhës është ndryshe. Në shtëpi luajmë më mirë. Nuk duhet të gjejmë justifikime për gjendjen që jemi, sepse është faji ynë për golat që kemi pësuar. Kemi një skuadër memece, që nuk flet. Duhet të qeshin më pak dhe të flasin më shumë. Duhet të fitojmë patjetër ndeshjen me Skocinë. Shpresojmë të shënojmë, duke shfrytëzuar rastet që nuk i kemi shfrytëzuar deri tani. Duhet të kemi 6 pikë pas kësaj ndeshjeje dhe mund te kemi shanse. Në Izrael na mungoi goli, pasi as në Turqi nuk luajtëm aq mirë. Nuk mjafton loja e mirë.

Kemi gjetur Uzunin e Grezdën. Shpresojmë që ndaj Skocisë të luajmë mirë dhe të shfrytëzojmëfaktin që ata kanë mungesa. Na mungojnë Hysaj dhe Basha, ndërsa Veseli nuk luan. E kam një ide si mund të luajmë, por ka rëndësi të luajmë mirë dhe të fitojmë, sepse ka rëndësi edhe golaverazhi. Me presidentin flas gjithmonë. Kur humbin gjithçka bëhet e vështirë për të gjithë, për mua dhe tifozët. Rezultati është përgjegjësia ime, por them se Skocisë dhe Izraelit ua kemi dhuruar ne fitoret. Kemi pasur shumë mungesa. Në mars pres Roshin dhe Sadikun, por nuk më duket e drejtë që të bëhem unë fajtori, kur në humbjet e miqësoreve kemi pasur shumë mungesa, siç vazhdojmë të kemi.

Loret Sadiku? Desha ta grumbulloj dhe ai nuk më tha “jo”. Më tha që donte të mendohej dhe se mund të ekspozohet më mirë me Kasimpashanë, por unë mendoj të kundërtën. Të më ftonin mua në Kombëtare, do të vija me motorr. Flas me lojtarët për t’u treguar rëndësinë e ndeshjes. Mund të pyesni edhe Ervin Bulkun se sa dua që ata të flasin. Skema funksionoi me Izraelin, edhe pse nuk shënuam, por problem mbetet komunikimi. Është bërë debat për kapitenin, që nuk është vetëm emri. Ai duhet të organizojë grupin dhe nuk duhet të jemi si në rastin e Izraelit, me shumë gjuajtje dhe asnjë gol, ndërsa kundërshtari shënoi lehtë. Nuk duhet parë sjellja ime si diktator. Norvegjia na ndëshkoi nga kornja, kurse Italisë i bëmë një dhuratë për Krishtlindje. Kemi bërë seanca për goditjet standarde dhe do të vazhdoj të punoj sa më shumë. Nuk rri te Koloseu në Itali, po lodhem. Më janë bërë flokët gri.

Për Mavrajn dua të sqaroj se është rregullore e FIFA-s dhe gabim i grekëve që lënë ndeshje ditën e hënë, kur grumbullohen kombëtaret. Qaka? Duhet të rritet profesionalishtpër të qenë në Kombëtare. Manaj ka pasur një dëmtim dhe kam kërkuar Fiorin Durmishajn, u kam thënë në federatë që ta kontaktojnë. Nuk e di nëse vjen apo jo, por presim përgjigje", - theksoi mes të tjerash trajneri i kuqezinjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë