Kombetarja

Panuçi merr 19-vjeçarin Ademi nga Shpresat, Bushi revoltohet

Pakënaqësi mes trajnerëve të ekipeve kombëtare, ndoshta edhe për shkak të deklaratës së fundit të presidentit të FSHF-së, Armando Duka, i cili paralajmëroi ndryshime në stolet e kombëtareve të moshave për shkak të rezultateve të dobëta. Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka kërkuar në ekip Albion Ademin, pjesë e Kombëtares U-21, duke shkaktuar zemërim te trajneri Alban Bushi.

Ekipi Shpresa ka në program dy ndeshje miqësore me Maltën dhe mungesa e një lojtari, kushdo qoftë ai, nuk prish punë, kur bëhet fjalë për kalimin e tij te Kombëtarja e madhe. Albion Ademi është një 19-vjeçar mjaft i talentuar, i aktivizuar deri tani me kombëtaret e moshave të Finlandës, por me marrjen e pasaportës shqiptare, sipas rregullave të fundit të FIFA-s, ai i është bashkuar Shqipërisë. Konsiderohet një talent në Finlandë, ku luan me FC Inter Turku, ndaj dhe drejtuesit kuqezinj kanë ngulmuar për ta marrë te Shqipëria sa më parë.   

Albion Ademi (majtas) gjatë  një konference shtypi si kuqezi

Ademi luan në të dy krahët e sulmit dhe ndoshta trajneri Kristian Panuçi ka dashur t'i paraprijë situatës para ndeshjes me Skocinë, duke parë dëmtimin e Eros Grezdës. Është një situatë e ngjashme me atë të sulmuesit Xhakomo Vrioni, i cili në ndeshjet e fundit la Kombëtaren U-21 dhe u bashkua me ekipin e Panuçit. Në fund të fundit, qëllimi i ekipit Shpresa ky është: të furnizojë Kombëtaren me elementë për të ardhmen, ndaj dhe nuk dihet pse Bushi është zemëruar nga veprimi i Panuçit për t'ia marrë këtë lojtar. Ademi ka luajtur vetëm një ndeshje me Shpresat

.

Ka pasur disa probleme me dëmtimet në Kombëtare. Lenjani është larguar nga grumbullimi, ashtu si dhe portieri Alban Hoxha, i zëvendësuar nga Elhan Kastrati. Grezda dhe Ndoj janë stërvitur veç grupit në seancën e fundit.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë