Kombetarja

Panuçi: Më emocionon himni i Shqipërisë, jemi në gjendje ta mundim Turqinë!

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka folur sot në konferencë shtypi, duke shpjeguar zgjedhjet e tij për ndeshjet me Turqinë dhe Andorran. Italiani ka theksuar se ka marrë lojtarët më të mirë në këtë moment dhe ka besim të madh për një nisje të eliminatoreve të Europianit. Panuçi ka qartësuar se Ndoj dhe Cikalleshi kanë pasur dëmtime, ndaj dhe mungojnë në listë:

“Jam i kënaqur me lojtarët që kam në listë. Kemi thirrur edhe Cikalleshin, por ai është i dëmtuar në këtë moment. Kemi të dëmtuar edhe Ndojin, ndërsa Binakun do ta shohim gjatë javës, sepse edhe ai ka pasur probleme. Janë rikthyer kthyer në ekip Abrashi dhe Ajeti, dy lojtarë me përvojë. Jam i sigurt se kemi marrë më të mirët në këtë moment, kemi marrë lojtarë që luajnë. Kemi marrë Kristi Qosen, i cili është i fortë fizikisht dhe e kam ndjekur gjatë gjithë dimrit. Kemi gati edhe Mihajn, i cili ka qenë i dëmtuar. Do të luftojmë me këta lojtarë. Kemi krijuar një ide gjatë ndeshjeve të mëparshme, por nuk do të thotë që vetëm do të mbrohemi. Kur luajmë hapur, kam vënë re se kemi probleme.

Nga njk seancë stërvitore e Kombëtares

Mund të jenë shumë lojtarë që mund të vijnë në Kombëtare, jo vetëm Bare. Zgjedhjet janë bërë për shumë arsye dhe mund të them se lojtarët që kemi grumbulluar, luajnë me klubet e tyre në këtë moment. Nuk është se ne kemi 60 lojtarë, apo 40, siç mund të kenë skuadra të tjera. Grezda është lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë, ka luajtur pak dhe do të shohim si do të shkojë këtë javë. Kaçe ka luajtur periudhën e fundit dhe e kam grumbulluar, më parë nuk ka luajtur dhe nuk e kam thirrur. Kemi shumë lojtarë që shkojnë jashtë, por nuk luajnë, ndërsa ky grup ka më shumë minuta.

Objektivi? Të shohim ndeshje pas ndeshjeje, sepse shoh që dikush ka dalë jashtë realitet. Nëse bëjmë mirë, shkojmë në vend të tretë, nëse bëjmë diçka speciale, mund të jemi të dytët në grup. Jam i bindur se mund të bëjmë diçka speciale. Ta bëjmë këtë me qetësi dhe duke qenë të përulur. Ndoshta 2016-a i ka bërë keq dikujt. Tahiraj? Ne i ndjekim të gjithë. Kemi marrë përgjigje pozitive nga disa lojtarë, por më pas gjërat kanë ndryshuar dhe për këtë çështje mund të flasë më shumë Federata. Durmishaj mendoj se është çështje e hapur. Në këtë moment kemi nevojë për lojtarë të gatshëm. Nuk kemi pak lojtarë anësorë, sepse edhe Balliu mund të luajë përpara. Për këto role kemi edhe Grezdën, Uzunin dhe Abazajn. Prandaj kam marrë vetëm dy sulmues, është një çështje taktike, le të themi. Ajo që më shqetëson më shumë është se kemi shumë oscilacione, fitojmë me Turqinë, pastaj humbim me Kosovën.

Nëse lojtarët kanë zjarrin brenda, mund të bëjnë gjëra shumë të mirë. Ne kemi kërkuar futbollin total, por skuadra duhet të jetë më e shkurtër. Duhet të jemi më të mbledhur në mbrojtje. Turqia është një skuadër e fortë, ka shumë kualitet, ka ndërruar edhe trajnerin, kështu që do të jetë e vështirë. Është më e fortë se ne, por unë kam shumë besim te djemtë që drejtoj. Jemi në gjendje ta mundim Turqinë. Nuk jam aspak i shqetësuar për portën. Do të shohim kush do të jetë titullar, Berisha apo Strakosha. Duhet të punojmë fort gjatë gjithë javës. Për ndeshjen me Turqinë i kam gjërat të qarta se çfarë duhet të bëjmë. Ndërsa ndeshja me Andorrën ndryshon nga ajo me Turqinë. Kampionati i jep pak Kombëtares, ky është realiteti. Është shumë e vështirë, pa ofenduar askënd. Gjashtë pikë në dy ndeshjet e para? Nuk vë bast, sepse më skualifikojnë (qesh). Ka presion, është e kuptueshme, sepse kërkohet të shkojmë sërish në Europian”, - ka thënë trajneri Panuçi.

Në fundin e konferencës, trajneri italian është mundur të ngrejë sa më shumë anën psikologjike të lojtarëve, duke u fokusuar te rëndësia e të qenit pjesë e Kombëtares. Ai ka prekur edhe temën e lojtarëve që janë të lëkundur për zgjedhjen e tyre dhe ka theksuar se ata nuk do të arrijnë të bëhen kurrë dikush, sepse nuk kanë burrëri. “Është diçka shumë e rëndësishme të jesh pjesë e Kombëtares, sidomos për ata që luajnë jashtë. Është krenari. Ata që luajnë jashtë, kanë firmosur kontrata të mira, falë Kombëtares. Unë i jam mirënjohës Shqipërisë, himni, edhe pse nuk e kam mësuar, më jep emocione dhe kam ndjenjën që të vishem dhe të luaj vetë. Këtë duhet të ndjejnë edhe lojtarët.

Amir Abrashi, një nga lojtarët e rikthyer në Kombëtare

Abrashi është lojtar i rëndësishëm dhe ai duhet të tregojë se sa vlen Shqipëria. Një lojtar i Bundesligës, që në jep ekuilibër. Kemi nevojë për një lojtar si ai në mesfushë. Vrioni do të jetë i rëndësishëm për Shqipërinë, por këtë radhë mendova të marr vetëm dy sulmues. Për Durmishajn të shohim, nëse do të luajë me Greqinë. Nuk ishte qëllimi ynë ta digjnim. Problemi është se në fillim disa thonë “po”, pastaj thonë “jo”, pastaj fikin telefonin dhje më pas të merre menaxheri i tyre. Këta që veprojnë kështu, nuk do të bëhen kurrë lojtarë. Lojtarët e vërtetë janë burra, thonë “po” ose “jo”, nuk janë të lëkundur. E kuptoj menjëherë, nëse një lojtar do të vijë apo jo në Kombëtare. Jemi federatë shumë serioze. Shkova të ndjek një lojtar dhe e dini çfarë ndodhi? Erdhën babai i tij, xhaxhai, menaxheri, kryebashkiaku, sikur të ishte Mesi apo Kristiano Ronaldo. Tani nuk e di ku luan. Isha me një drejtues Federate dhe i thashë se ky nuk është për ne.

Nëse do të kisha marrë një telefonatë nga Roma, një sekondë më pas do ta kishte marrë vesh Duka. Nuk më kanë telefonuar kurrë nga Roma, ndoshta ata kanë menduar. Unë kam respekt për Federatën dhe raporti im shkon përtej anës financiare. Jam shumë i lumtur këtu, nuk e di ju, ndoshta jo. Jam kokëfortë dhe do të këmbëngul deri në fund”, - u shpreh Panuçi.

Shqipëria luan të shtunën me Turqinë, në stadiumin “Loro Boriçi, ndërsa pak ditë më pas me Andorran në transfertë. Këto janë dy ndeshjet e para kualifikuese në grup, ku bëjnë pjesë edhe Franca, Islanda dhe Moldavia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë