Kombetarja

Panuçi i çliruar: Falënderoj Dukën, djemtë i kam me vete

Fitorja me Uellsin e ka qetësuar trajnerin Kristian Panuçi, i vënë në qendër të kritikave për ndeshjet e fundit dhe veçanërisht pas humbjes 0-4 me Skocinë. Italiani u shpreh pas ndeshjes në “Elbasan Arena” se është mjaft i kënaqur me reagimin e skuadrës dhe fitoren. Ai theksoi se lojtarët i ka me vete, ndërkohë që falënderoi presidentin Armand Duka për kurajën që i kishte dhënë para ndeshjes:

“Më në fund, po, më në fund, skuadra gjeti shpirtin e duhur dhe fituam. Vuajtëm, por në fund fituam. Jemi ende gjallë. Por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalemi me kaq. Duhet të përgatitemi më mirë për kualifikueset e Europianit. Kemi folur me lojtarët dhe arritëm të gjejmë pikat, ku kemi gabuar. Deri në mars shpresojmë të rikuperojmë lojtarët e dëmtuar. Unë di që djemtë i kam me vete, sepse po të ishte ndryshe, do të isha larguar.

Ismajli? Jam shumë i kënaqur me të, sepse është shumë serioz në fushë, një profesionist. Besoj se do të bëjë ndeshje të bukura në vazhdim. Nuk bëra më shumë zëvendësime, sepse skuadra po luante mirë dhe mund të shënonim sërish. Djemtë reaguan dhe arritën të fitonin me meritë, kjo është më e rëndësishmja”,- tha trajneri italian pas fitores me Uellsin.

Panuçi komentoi edhe të ardhmen e tij në krye të kuqezinjve: “Jam takuar disa minuta para ndeshjes me presidentin Duka, por nuk mund ta bëj publike bisedën. Dua ta falënderoj atë për fjalët që më tha. E ritheksoj, për mua ka rëndësi që skuadra ia doli. Ndryshuam taktikë dhe mendoj se duhet t’i japim kohë skuadrës. Është më mirë të luajmë keq dhe të fitojmë, sepse, në fund të fundit, rëndësi ka rezultati”, - përfundoi trajneri Panuçi.

Shumë shkurt pas fitores me Uellsin ka folur edhe presidenti Duka: “Pjesa e parë nuk ishte shumë e mirë. Duhej të bënim diçka pas humbjes së thellë. Para ndeshjes jam munduar ta mbështes trajnerin Panuçi dhe lojtarët. Na duhej një paraqitje e mirë dhe një rezultat pozitiv, pasi i shërben atmosferës, ndikon në moralin e djemve, u kthen besimin. Kjo fitore nuk mund të themi se e bën ekipin më të mirë. Me më pak mungesa dhe me më shumë impenjim, skuadra mund të bëjë më mirë”, - tha kreu i FSHF-së. Me nota pozitive janë shprehur edhe futbollistët kuqezi, të cilët kanë vlerësuar reagimin e skuadrës.

Kombëtarja para ndeshjes me Uellsin

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë