Kombetarja

Panuçi i bindur: Kthehemi te fitorja, jo gjykim nga miqësoret!

Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Izraelin, ashtu si dhe në atë të pak ditëve më parë për listën e lojtarëve, trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, theksoi se tani nisin ndeshjet e vërteta për Shqipërinë. Italiani është dukur optimist në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”, ku do të luhet ndeshja me izraelitët. Nuk e mendon rrezikun e largimit nga stoli kuqezi dhe është i fokusuar vetëm te ndeshja. Sipas Panuçit, ka përfunduar koha e eksperimenteve dhe me lojtarët me përvojë që ka grumbulluar, ka shumë besim se do të marrë rezultat.

“Kemi punuar mirë dhe mendoj se grupi i lojtarëve është në gjendje të mirë. Jemi gati të përballemi me Izraelin dhe të kthehemi te fitorja. Për shkak të emergjencës nga dëmtimet, kam grumbulluar edhe lojtarë që kanë luajtur pak. Kam besim tek eksperienca e tyre, ndërsa për Kaçen që po më pyesni, ndoshta jeni keqinformuar, sepse nuk ka luajtur aq shumë sa ju pretendoni. Ndeshje vendimtare për mua? Kjo është pyetje për presidentin e Federatës, unë përgjigjem vetëm për ndeshjet që do të luajmë. Uroj të kthehemi te fitorja, sepse jemi përgatitur mirë.

Trajneri Panuçi dhe ndihmësit e tij në stërvitje

Për formacionin nuk kam vendosur, do të vendos para ndeshjes se cilët lojtarë do të zbresin në fushë. Në ndeshjet e fundit kemi eksperimentuar, kemi provuar lojtarë të rinj. Mos na gjykoni nga ato rezultate. Tani fillojnë ndeshjet e vërteta. Kam parë video të ndeshjeve të Izraelit dhe besoj se e kemi përgatitur mirë ndeshjen me këtë kundërshtar. Izraeli është një skuadër e re, me një trajner të ri. Është një skuadër e fortë fizikisht, me disa elementë cilësorë. Trajnerin austriak të Izraelit e njoh mirë dhe për nesër i uroj shumë suksese”, - tha trajneri italian, duke bërë edhe një batutë për kolegun e tij.

Panuçi komentoi shkurt edhe çështjen e padisë ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. “Për momentin mund të them vetëm kaq: njerëzit duhet të kenë respekt dhe të vlerësojnë punën e të tjerëve dhe jo t'i ofendojnë ata”. Në sallë kanë qenë të pranishëm edhe gazetarë nga Skocia, të cilët e kanë pyetur trajnerin Panuçi për ndeshjen e 10 shtatorit me kombëtaren e tyre. Por italiani është përgjigjur me diplomaci: “Nuk dua të jem i pasjellshëm dhe të mos respektoj pyetjen tuaj, por nuk dua të flas për ndeshjen me Skocinë. Tani jam i përqendruar tek Izraeli, për Skocinë do të flas pas kësaj ndeshjeje”.

Trajneri i Izraelit: Ndeshje e fortë, mund ta fitojmë

Austriaku Andreas Herzog do të debutojë në stolin e Izraelit në ndeshjen me Shqipërinë dhe shpreson shumë të marrë rezultat në stadiumin “Elbasan Arena”. Ai ka vlerësuar forcën e dy skuadrave, ndërkohë që ka kërkuar nga të tijtë të bëjnë një lojë kolektive. Trajneri Herzog u shpreh se dy skuadrat ndryshojnë nga njëra-tjetra dhe se Liga e Kombeve është një mundësi mjaft e mirë si për Izraelin, ashtu edhe për Shqipërinë.

“Jemi gati dhe shpresojmë të na shkojë çdo gjë mirë në këtë ndeshje. Mendoj se skuadra do të jetë e suksesshme, nëse grupi do të jetë i bashkuar në fushë dhe do të bëjë lojë kolektive. Besoj se Izraeli e ka kualitetin për ta fituar ndeshjen, por e theksoj, dua që lojtarët të zbatojmë si duhet detyrat taktike në fushë. Liga e Kombeve është një mundësi e madhe si për Shqipërinë, ashtu edhe për Izraelin. Shpresoj të marrim rezultat pozitiv.

Izraeli stërvitet në stadiumin “Elbasan Arena”

Shqipëria ka disa lojtarë të rinj me kualitet. Dy skuadrat janë të forta, por ndryshojnë në lojë nga njëra-tjetra. Izraeli ka fituar në Shqipëri dhe anasjelltas, kështu do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Kemi në grup edhe Skocinë, që është një skuadër mjaft e fortë”, – u shpreh trajneri i Izraelit, Andreas Herzog.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë