Futboll

Mesfushori Kristi Qose merr ftesën për në Kombëtare

Paraqitja e tij në kampionatin sllovak, sidomos këtë sezon, u kishte rënë në sy të gjithëve dhe pritej që mesfushori Kristi Qose të grumbullohej me Kombëtaren e Shqipërisë. Tani është zyrtare: futbollisti ka marrë ftesën për të qenë pjesë e kuqezinjve në ndeshjet e para eliminatore të Europianit, me Turqinë dhe Andorrën.

“Po, më ka ardhur ftesa”, – ka pohuar 23-vjeçari për Gazeta Si. Kristi Qose do të jetë një nga risitë e listës së trajnerit Kristian Panuçi, i cili pritet që ta bëjë publike atë pas pak ditësh. Luan në mesfushë, si shkatërrues, por edhe në qendër të mbrojtjes, kështu që trajnerit italian do t’i bënte punë, aq më tepër duke parë edhe formën e shkëlqyer që po kalon. Qose është rritur në Greqi si futbollist, por prej tre sezonesh luan në Sllovaki. Dy sezonet e fundit është pjesë e Ruzomberok, ku është një nga titullarët më të rëndësishëm. Mjafton të përmendim faktin që në 18 ndeshje ka shënuar 6 gola këtë sezon, një shifër e lartë për një mesfushor shkatërrues.

Kristi Qose (numri 6) gjatë një ndeshjeje me fanellën e Ruzomberok

Më parë Kristi Qose ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave, U-19 dhe U-21, ku numëron 10 ndeshje. Mesfushori është i ri në moshë dhe mund të konsiderohet një alternativë shumë e mirë për të ardhmen, duke parë që disa nga mesfushorët e qendrës në Kombëtare janë në moshë të madhe. Në një intervistë të mëparshme për Gazeta Si, Qose ka pohuar se ka oferta nga skuadra më të mira në Sllovaki dhe se shpreson të luajë në një klub më të fortë në Europë.

Në listën e trajnerit Kristian Panuçi parashikohej të kishte disa risi. Tashmë njëra është zbuluar, është Kristi Qose. Pritej grumbullimi i sulmuesit Fiorin Durmishaj, që tashmë është bërë një çështje më vete dhe duket se ka zgjedhur Greqinë, edhe pse deri tani ka qenë pjesë e Shqipërisë U-21. Një tjetër emër që parashikohet të jetë në listën e trajnerit të kombëtares është ai i Marash Kumbullës, mbrojtësit të ri të Veronës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë