Shkencë

Panele diellore transparente, nga dritarja hyn edhe energjia elektrike

Në një të ardhme jo fort të largët, nga dritaret e shtëpisë nuk do të hyjë vetëm drita e diellit, por edhe energjia për të gatuar, apo për të ngrohur ambientin dhe ujin në rubinet.

Ky është objektivi që i kanë vënë vetes studiuesit e Universitetit Shtetëror të Miçiganit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata thonë se kanë arritur që të ndërtojnë panele diellore krejtësisht transparente, që mund të vendosen tek dritaret e shtëpive dhe përveç funksionit fillestar, atë të ndriçimit dhe ajrosjes të shërbejnë edhe si burim energjie për të gjithë banesën.

Ekipi i studiuesve e përqendroi punën e tij në ndërtimin e një materiali transparent, në gjendje që të përthithë rrezet diellore ultravjollcë dhe infrared. Energjinë e përthithur prej këtyre rrezeve të pakapshme me sy të lirë, mekanizmi tradicional i paneleve diellore e grumbullon dhe më pas e shpërndan në rrjetin elektrik të banesës.

“Drita e kapur nga këta xhama transparentë transportohet tek mekanizmi që e shndërron në energji përmes baterive fotovoltaike”, deklaron Richard Lunt, njëri prej autorëve të studimit.

Zbulimi konsiderohet i rëndësishëm dhe megjithëse është ende në fazë testimi ai mund të aplikohet me pak modifikime në fusha më të zgjeruara.

“Imagjinoni fasadën e një godinë shumëkatëshe të qelqtë me këtë teknologji. Energjia e grumbulluar nga panelet diellore do të ishte jashtëzakonisht e madhe dhe në gjendje që të sigurojë furnizimin jo vetëm të godinës ku janë vendosur, por edhe teprica energjie, e për më tepër pa ndikuar tek dezajni dhe arkitektura e ndërtesës”, sqaron Lunt.

Grupi i autorëve janë mjaft entuziastë se e njëjta teknologji mund të përdoret edhe tek pajisjet teknologjike, duke u ofruar një karikim alternativ të baterisë, pa qenë nevoja që përdoruesit të lëvizin me karikues me vete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë