Ngjarje

Pandemia ul kërkesën për azil, 89% më pak shqiptarë në tremujorin e dytë 2020

Për herë të parë bie numri i aplikantëve që kërkojnë për herë të parë azil në vendet e BE-së me gati 70% në tremujorin e dytë 2020.

Pandemia e cila ka shkaktuar bllokime dhe kufizime të theksuara në udhëtime dhe nxitjen e masave të rrepta për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19, ka ndikuar edhe në rënien drastike të kërkesave të azilantëve potencialë shqiptarë që kërkojnë të shkojnë për herë të parë në këtë mënyrë në vendet e BE-së me përkatësisht  89% tremujorin e dytë të vitit 2020 dhe 80% në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në tremujorin e dytë 2019 kanë qenë 4245 shqiptarë që kanë aplikuar për herë të parë për azil në vendet e Bashkimit Europian, kurse në tremujorin e dytë 2020 kanë qenë 460 shqiptarë që kanë dashur të merrnin statusin azilant në vendet e BE-së. Gjatë 12 muajve të fundit 10860 shqiptarë kanë kërkuar mbrojtjen ndërkombëtare të BE-së si aplikant për azil, duke u larguar nga vendet e para të listës.

Eurostat thotë se gjatë tremujorit të dytë të 2020, janë gati 46 500 azilkërkues për herë të parë që kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në vendet anëtare të Bashkimit Europian ose 69% më pak krahasuar me 150 100 syresh në tremujorin e parë të 2020 me një rënië 68% krahasuar me tremujorin e dytë 2019 (143 700 aplikime).

Kjo rënie e ashpër në aplikimet për azil në tremujorin e dytë 2020, shpjegohet nga Eurostat në veçanti si rezultat i masave ndaj emergjencës COVID-19 aplikuar nga vendet anëtare të BE-së nga marsi 2020.

Aplikantët më të shumtë nga Siria, Afganistani dhe Venezuela

Me 7 700 aplikiantë për herë të parë mes prillit dhe qershorit 2020, sirianët mbetën grupi më i madh i personave që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në vendet anëtare në BE, të ndjekur nga Afganë (4 200 aplikantë për herë të parë) dhe Venezuelianë (3 000).

Qytetarët e këtyre shteteve ishin 1/3 (32%) e të gjithë kërkesave për herë të parë për azil në tremujorin e dytë të 2020.

Aplikantët më të shumtë për azilantë kanë qenë për në Gjermani, Francë dhe Spanjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë