Kosova

Pandemia tkurr me 200 mln euro buxhetin e vitit 2021 në Kosovë

Mbi 200 milionë euro më pak do të ketë buxheti i vitit 2021, i cili pritet që të shkojë në Kuvendin e Kosovës në fund të tetorit. Kjo do të jetë sfida e radhës e Qeverisë për sigurimin e votave për ta kaluar këtë projektligj, i cili parasheh që buxheti për vitin e ardhshëm të jetë 2.4 miliardë euro. Sipas zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, e rëndësishme është që brenda partnerëve qeveritarë të ketë konsensus për miratimin e këtij projektligji.

“Ne brenda Qeverisë nuk jemi duke mundur që të bëjmë ndryshime të mëdha në buxhet për t’i kryer obligimet ligjore dhe këtë logjikë, duhet të kuptohet edhe në Kuvend. Ekonomia nuk mund të prodhojë numra sipas dëshirës. Ekonomia është dhe pjesa e të hyrave varet nga niveli i zhvillimit ekonomik dhe ne po e dimë në çfarë gjendje është sektori privat”, ka thënë Krasniqi, shkruan Koha.net.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit thotë se duke pasur parasysh pandeminë, buxheti për vitin 2021 duhet të përfshijë një fond për masat kufizuese që mund të vendosën në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, nëse është e nevojshme.

Megjithatë, Krasniqi ka thënë se në projektbuxhet do të ketë një vazhdim të programit për rimëkëmbjen. “Do të kemi 30 milionë euro për shpenzime shëndetësore”, ka deklaruar Krasniqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë