Ekonomi

Pandemia shkatërroi turizmin. 60% turistë të huaj më pak në 2020-n në Shqipëri se një vit më parë

Shqetësimin e bizneseve të turizmit për goditjen e rëndë që i është bërë sektorit nga kriza që shkaktoi pandemia COVID-19 e konfirmojnë shifrat e INSTAT.

Të dhënat më të fundit që përmbledhin gjithë vitin që lamë pas, tregojnë se gjatë 2020-s, Shqipërinë e kanë vizituar për turizëm 60% më pak shtetas të huaj se vitin paraardhës.

Kurse, numri total i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për gjithfarë arsyesh gjatë vitit 2020 është 2.657.818, duke rënë me 58,5 %, në krahasim me vitin 2019.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.906.828 duke rënë 50,9 %, krahasuar me vitin e më parshëm

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, në muajin dhjetor 2020, është 442.966 dhe krahasuar me dhjetor 2019, ky tregues është me rënie 50,7 %. Në dhjetor 2020, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 180.815, krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë me 37,4 %.

Gjatë vitit 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,3 %, krahasuar me vitin 2019

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020 janë 215.698. Krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë 55,5 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2020, janë 155.973. Krahasuar me dhjetor 2019, ky numër ka rënë 47,9 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë