Politike

Pandemia dhe ekonomia, Basha kërkon ndërhyrje në tre drejtime

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vëren se koha e  pandemisë dhe kriza ekonomike, po rëndohen çdo ditë.

“Në kulmin e pandemisë, kur numri i të infektuarve dhe atyre që humbin jetën po rriten frikshëm, kryeministri nuk ka asnjë plan për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe ekonomisë, asnjë strategji për pandeminë, asgjë përveç propagandës dhe heshtjes apo sulmeve trashanike ndaj çdokujt, që kërkon transparencë dhe veprim.

Që prej marsit, pas konsultimeve me ekspertët e shëndetësisë dhe ekonomisë, i propozuam qeverisë një plan masash për të mbrojtur shëndetin dhe ekonominë e qytetarëve.

Mosveprimi dhe mungesa e masave për të mbrojtur spitalet dhe qendrat shëndetësore, i ktheu ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së virusit. Refuzimi për të marrë masat për mbrojtjen e stafeve mjekësore, i la mjekët dhe infermierët të pambrojtur përballë virusit”, shkruan Basha në Facebook.

Basha nënvizon se shqiptarëve vazhdon t’ju mungojë informacioni se si është gjendja në spitale, sa teste, sa shtretër, sa aparate respiratore dhe medikamente janë në dispozicion për të infektuarit nga COVID-19 dhe se numri i testimeve vazhdon të jetë i pamjaftueshëm.

“Shumë qytetarë që kanë pasur kontakt apo familjarë të prekur nga virusi, u refuzohet testimi. Si në asnjë vend tjetër nuk ka asnjë transparencë për kushtet apo mënyrën e trajtimit të qytetarëve, që kurohen në Spitalin Infektiv apo te “Shefqet Ndroqi”. Situata është katastrofike në rrethe, ku të infektuarit e kanë të pamundur të marrin trajtim shëndetësor dhe ju duhet të blejnë vetë edhe aparaturat për oksigjenoterapi”, shkruan Basha.

Paralelisht me këtë situatë, kreu i PD-së, thotë se kemi një situatë të rënduar edhe ekonomike.

“Mijëra biznese janë mbyllur e qindra të tjera janë në prag falimentimi, mijëra njerëz kanë mbetur pa punë, e për rrjedhojë pa asnjë të ardhur për familjen e fëmijët e tyre. Çmimet po rriten dhe pamundësia po shtohet. Qytetarët duan zgjidhje, duan mbështetje, kanë nevojë për ndihmë. Por kjo qeveri ofron vetëm gënjeshtra dhe propagandë”, shkruan ai.

Paqartësi, ai vëren edhe tek sistemi arsimor.

“Mijëra prindër dhe fëmijë janë të paqartë çfarë do të ndodhë me arsimin këtë vit. Kur do të fillojë shkolla? Do të ketë mësim online? A janë masat për dezinfektim dhe distancim social? Nëse do të ketë mësim online, çfarë masash ka marrë qeveria që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të pajisen me mjetet dhe internetin e nevojshëm? Asnjë plan, asnjë informacion nuk ka deri më tani”.

Për të gjitha sa më sipër, Basha thotë se, nevojitet një plan i detajuar për përballimin e situatës së pandemisë, ndihmë reale për gjithë familjet në nevojë, si dhe një rrugëzgjidhje për arsimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë