Politike

Palët në vendnumëro, opozita zyrtarizon në Këshill kërkesën e rrëzuar nga PS

Takimi me ambasadorët në selinë blu nuk ka shërbyer për ndonjë avancim qëndrimi nga ana e PD-së përveçse për të zyrtarizuar një kërkesë që Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kishin propozuar të hënën në mbledhjen e Këshillit Politik, por që paraprakisht u rrëzua nga PS.

“Në vijim të mbledhjes së ditës së hënë, me qëllim gjetjen e konsensusit për kërkesën e Opozitës së Bashkuar, për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik, siç parashikohet edhe në Marrëveshjen e 14 Janarit, kërkojmë: Thirrjen e mbledhjes së Këshillit Politik nesër, e mërkurë, në orën 10:00. Në këtë mbledhje Opozita e Bashkuar do të prezantojë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR, thuhet në letrën publike të Bylykbashit dhe Vasilit.

Zyrtarizimi i kërkesës nuk sjell ndonjë zhvillim të ri sa kohë që  Damian Gjiknuri përmes një deklarimi për mediat tha të hënën se  marrëveshja e nënshkruar më 14 janar, (së cilës i referohet edhe opozita) detyron palët që t’i adresohen OSBE/ODIHR atëherë kur ata nuk bien dakord me rekomandimet e dhëna prej tyre për proceset zgjedhore në Shqipëri.

Në vend të opinionit të OSBE/ODIHR PS i kërkon opozitës që të dorëzojë në Këshill brenda 30 shtatorit propozime konkrete që sipas saj nuk bien ndesh me Kushtetutën.

Në të njëjtën linjë ka qenë përgjigja e PS-së edhe të martën mbasdite. Duke e cilësuar kërkesën e opozitës thjesht një lëvizje taktike për të zvarritur më tej punën dhe jo për të arritur në një produkt konkret që do të vinte si pasojë e ndryshimeve kushtetuese, Damian Gjiknuri tha se si përfaqësues i Partisë Socialiste “Ju konfirmoj se, sa na takon ne, nuk do ketë asnjë produkt të punës sonë të përbashkët që nuk do t’i nënshtrohet ekspertizës së OSBE/ODIHR-it. Por, përpara se kjo të ndodhë ne duhet të fillojmë të prodhojmë produkte konkrete, jo të pengojmë”.

 “Në vazhdim të diskutimit të mbledhjes së fundit, unë mirëpres propozimet tuaja, qoftë dhe fillestare, ditën e Premte datë 18.09.2020, ora 10:30. Ndërkohë ju informoj se ekipi i PS-së është në punë për të konkretizuar dispozitat e Kushtetutës dhe për ti reflektuar ato respektivisht në Kodin Zgjedhor. 

Në cilësinë e përfaqësuesit e mazhorancës, në mbledhjen e ditës së Premte unë do të paraqes draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor për çështjet e sipërcituar”, shkruan Damian Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë