Pas Shkollës së Kuqe, një tjetër shkollë në kryeqytet ka hapur dyert, që të rinjtë të shfrytëzojnë terrenet sportive pasditeve dhe në fundjavë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një ndeshje basketbolli me të rinjtë në palestrën e shkollës “4 Dëshmorët”, ku tha se fushata për rritjen e vëmendjes ndaj sportit do të kthehet në një histori suksesi për rininë e qytetit.
“Nxisni fëmijët të lexojnë libra, të kalojnë kohë në natyrë, të merren me sport. Siç bëmë fushatën e pemëve, e cila ishte një fushatë suksesi, jam i bindur se kjo fushatë e re, e klasave sportive, e shoqatave sportive, e aktiviteteve sportive, mund të jetë një nismë që do ta transformojë rininë e Tiranës, ndoshta edhe më shumë se sa fushata e pemëve që sapo mbyllëm”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se palestrat e hapura në 62 shkollat në Tiranë do të kthehen në vatra të komunitetit për argëtimin dhe edukimin sportiv në kryeqytet. Ai u bëri thirrje prindërve që të regjistrojnë fëmijët në klasa sportive, duke u dhënë mundësi atyre që të rriten të shëndetshëm dhe të sigurtë.
“Puna e shoqatave është të marrin stafetën e bashkisë dhe këto 62 palestra që janë hapur të kthehen në vatra të komunitetit, ku qytetarët sjellin fëmijët e tyre. Ama, tani stafeta ka kaluar te prindërit, ndaj dua t’u bëj apel prindërve të Njësisë 8 t’i sjellin fëmijët e tyre këtu: Është një vend i sigurt, është një vend ku të rriturit do të kujdesen dhe kanë sy për fëmijët, është një vend i shëndetshëm, i mbrojtur, edhe në qoftë se jashtë bie shi apo ka diell të madh, ky është një vend ku çdo fëmijë ndjehet i respektuar, i vlerësuar dhe i sigurt”, deklaroi ai.
Bashkia e Tiranës përmes projektit dëshiron të nxisë të rinjtë të angazhohen në ushtrimin e sporteve të ndryshme, por edhe si një mjet për të luftuar shfaqjet negative të moshës, obezitetin, por veçanërisht zhvillimin e miqësive mes nxënësve duke u përfshirë në aktivitete sportive.
Trouble Spots in Online Direct-to-Consumer Prescription Remedies
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.