Ekonomi

Paketat mbështetëse financiare anti Covid-19 dëmtojnë buxhetin

Politikat mbështetëse si përgjigje ndaj krizës financiare të krijuar nga pandemia, kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duke i shkaktuar mungesë prej 35,7 mld lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë 9-mujore të një viti më parë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se për janar-shtator 2020 të ardhurat u realizuan në masën 307.8 miliardë lekë ose 99 % të planit të 9-mujorit. 

Goditjen më të madhe e kanë pësuar të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat, të cilat u realizuan në masën 270 miliardë lekë, 31.3 miliardë më pak ose -10.4% krahasuar me vitin 2019, si dhe 3.2 miliardë më pak se plani vjetor, i rishikuar sipas aktit të fundit normativ.

Të ardhurat doganore, ku përfshihen të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, u realizuan në vlerën 109 miliardë lekë, 11.4 miliardë lekë ose 9.5% më pak se 9 mujori i vitit 2019 dhe  1.1% më pak se plani për 9 mujorin e vitit 2020.

Statistikat zyrtare tregojnë se rënia e importeve të taksueshme ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve të TVSH-së në import. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Po ashtu, ulja drastike e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019, ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 15% në strukturën e TVSH-së në import. Të ardhurat tatimore ku bëjnë pjesë të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT u realizuan në masën 160.6 miliardë lekë, 19.9 miliardë ose 11% më pak se e njejta periudhë e vitit të kaluar, si dhe ose 0.5% më pak se plani 9 mujor i të ardhurave tatimore.

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin kanë pësuar rënie me 26.6 për qind për shkak të shtyrjes së pagesave të kësteve si dhe tatimi mbi të ardhurat personale po ashtu, ka pësuar rënie me 31.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë për shkak të të papunëve të dalë si pasojë e Covid-19. Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në 366.2 miliardë lekë apo 20.4 miliardë lekë më shumë se 9 mujori 2019 për shkak të shkak të paketave financiare në mbështetje të biznesit dhe individëve në kuadër të pandemisë. Defiçiti buxhetor arriti në nivelin e 58.4 miliardë lekë nga 85.39 miliardë lekë i planifikuar, ndërsa krahasuar me 9 mujorin e një viti me parë, deficiti është rritur me 56.1 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë