Kosova

Paketa e zgjerimit të BE, Von der Leyen: Kosova duhet të formojë Asociacionin në Veri

Nga Gazeta ‘Si’ - Zyrtarët europianë thanë të mërkurën se dialogu me Serbinë është rruga përpara për Kosovën drejt BE-së.

Gjatë miratimit të paketës së zgjerimit, në konferencën për media në Bruksel, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.

“Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha ajo.

Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që të japë opinion për këtë.

“Ne jemi të gatshëm të japim opinionin”, tha ai.

“Ndjenja jonë është se për Kosovën rruga drejt BE-së po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, shtoi Varhelyi.

Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Europian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës - që banohet me shumicë serbe - por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

“Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja (drejt normalizimit të raporteve)”, thuhet në tekst, ku shtohet se “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë