Futboll

Pak parà dhe shumë “Jo”, Milanin e refuzojnë edhe lojtarët mesatarë

Vetëm Kruniç dhe Hernandez janë blerjet e deritanishme të Milanit, ndërsa Benaser do të kryejë vizitat mjekësore pas Kupës së Afrikës. Ende asnjë shitje, pasi ofertat nuk u përgjigjen kërkesave të klubit kuqezi për të mbushur arkën. Një situatë, ku shumë bisedime me lojtarë të ndryshëm janë mbyllur me “Jo”.

Që do të ishte një verë e vështirë dhe e sikletshme për Milanin, ishte kuptuar me kohë, pa ardhur puna deri te refuzimi i fundit: Veretut. Ishte vetë klubi, në fakt, që me ndershmëri e pranoi këtë situatë, duke nisur nga administratori Ivan Gazidis dhe për të vazhduar me deklaratat e Bobanit dhe Maldinit. Ndershmëria në këtë rast vlerësohet, sepse tashmë është e qartë për të gjithë se Milani duhet të stabilizojë llogaritë dhe të futet në parametrat e duhur, duke pastruar mbeturinat që la procesi i kalimit të pronësisë. Nëse situata nuk do të ishte kaq e rëndë, nuk do të kishte ardhur ai përjashtim nga Liga e Europës.

Veretut, lojtari i fudnit që Milani nuk ka mundur ta blejë

Klubit kuqezi i duhet të presë më shumë. Duhet ndonjë shitje “e rëndë”, por e nevojshme për të ulur bilancin e rrogave dhe për të blerë ndonjë të ri, që në të ardhmen mund të bëhet kampion. Ky ishte plani i Milanit, por për momentin gjithçka ka mbetur tek afrimet e Kruniç dhe Hernandez. Nuk është bërë asnjë shitje, që do t’i jepte oksigjen klubit dhe do ta ndihmonte në bisedimet me lojtarët që dëshiron. Kjo ka bërë që kuqezinjtë të marrin shumë refuzime dhe drejtuesit po shohin që po u ikin nga duart lojtarë si Kabak, Andersen, Torreira, Sensi, Sebajos, Veretut. Lojtarë të mirë, por jo “top player”.

Të tjera “Jo" Milani ka marrë edhe për lojtarë, të cilët ka kërkuar t’i marrë në huazim nga klube të ndryshme. Sigurisht, është e vështirë të blesh kur nuk ke fondin e nevojshëm, kështu që më parë duhen bërë disa shitje. Merkatoja është e gjatë dhe nuk mungon koha për të ndërtuar një skuadër në lartësinë e duhur, por diçka duhet të lëvizë. Trajneri Xhampaolo mund të garantojë ide dhe lojë të bukur, por nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi, nëse klubi nuk blen lojtarë me kualitet të lartë. Është një trajner i mirë, por jo një magjistar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë