Nga Gazeta ‘Si’- Dy muajt e parë të vitit 2026, shqiptarët kryen më shumë pagesa online, rreth 2 milionë transaksione ose 22% më shumë se vitin e shkuar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë janar-shkurtit kanë qarkulluar gjithsej 430 mld lekë në atë që njihet si homebanking ose bankimi nga shtëpia, me rritje vjetore 4%. Trendi sipas shifrave vijon një tendencë pozitive, të paktën që prej nëntorit 2025, kur pati një rënie.
Banka e Shqipërisë llogarit në raportin vjetor, se numri i pagesave elektronike për frymë, arriti në 29 në vitin 2025, duke reflektuar përdorim gjithnjë e më të gjerë të shërbimeve digjitale, ndonëse ende nën nivelet e vendeve të BE-së.
Po ashtu, për herë të parë, kartat bankare po përdoren më shumë për pagesa sesa për tërheqje cash, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë në sjelljen e konsumatorëve. Aktualisht, rreth 67% e pagesave kryhen me karta, ndërsa numri i tyre është rritur ndjeshëm gjatë vitit. Përdorimi dominohet nga individët, që përbëjnë 94% të transaksioneve me kartë.
Sipas Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit, të publikuar në dhjetor 2025, tendenca e përdorimit të internetit për tregti mbetet në rritje në nivel vjetor. Më shumë se 45% e shqiptarëve kanë kryer të paktën një blerje online gjatë 12 muajve të fundit, duke u rritur me 3 pikë përqindje. Rrobat dhe dërgesat e ushqimit mbeten shërbimet kryesore që dominojnë këtë treg, me përkatësisht 97% dhe 61% të preferencave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje