Ekonomi

Paga mesatare arrin në 90 mijë lekë, shtohen punonjësit me pagë minimale

Nga Gazeta ‘Si’- Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri arriti në 90.119 lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, pagat më të larta vijojnë të regjistrohen në sektorin e Aktiviteteve Financiare dhe të Sigurimit, ku paga mesatare arriti në 157.434 lekë, e ndjekur nga sektori i Informacionit dhe Komunikacionit, me 131.747 lekë në muaj.

Ndërkohë, rritja më e fortë e pagave është shënuar në sektorin e ndërtimit, ku paga mesatare u rrit me 22,2%, ndërsa rritja më e ulët është regjistruar në kategorinë “Arte, argëtim dhe çlodhje, si dhe aktivitete të tjera shërbimi”, me vetëm 5,5%.

Edhe sipas profesioneve, diferencat mbeten të theksuara. Menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë rezultojnë grupi me pagën më të lartë mesatare, prej 136.213 lekësh, ndërsa specialistët me arsim të lartë paguhen mesatarisht 116.074 lekë në muaj.

Nga ana tjetër, rritjet më të mëdha të pagave janë regjistruar tek zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to, me 15,7%, si dhe tek punëtorët në profesionet elementare, me 15,3%.

Një nga zhvillimet më domethënëse të tremujorit të parë të vitit është ndryshimi në shpërndarjen e pagave. Sipas INSTAT, numri i të punësuarve po përqendrohet gjithnjë e më shumë në skajet e intervaleve të pagave, duke u rritur si pesha e punonjësve me pagë minimale, ashtu edhe ajo e punonjësve me paga të larta.

Instituti i Statistikave e lidh rritjen e numrit të punonjësve me pagë minimale me vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pagës minimale nga 40.000 lekë në 50.000 lekë, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2026.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë