Shendet

Pacientët që kalojnë grip të gjatë janë në rrezik më të lartë për sëmundje afatgjata

Ashtu si Covid, gripi mbart rrezik të konsiderueshëm thonë studiuesit.

Njerëzit që janë shtruar në spital me grip janë në një rrezik të shtuar të problemeve shëndetësore afatgjata, të ngjashme me ato me Covid të gjatë, tregojnë të dhënat më të fundit.

Ndërsa simptomat e lidhura me një “grip të gjatë” duket se janë më pak të dëmshme në mushkëri sesa simptomat e vazhdueshme të Covid-it, në të dyja rastet rreziku i vdekjes dhe sëmuendshmërisë ishte më i madh në muajt pas infektimit sesa në 30 ditët e para.

“Është shumë e qartë se gripi i gjatë është më i keq se gripi normal dhe Covid-i i gjatë është më i keq se Covid”, thotë Ziyad Al-Aly, epidemiologu që drejtoi hulumtimin.

Ai u motivua për të studiuar fenomenin pasi vëzhgoi shkallën e sëmundjes afatgjatë të përjetuar nga njerëzit që janë shëruar nga Covid.

“Pesë vjet më parë, nuk do të më kishte shkuar ndërmend të shqyrtoja mundësinë e një 'gripi të gjatë'. Por një nga mësimet kryesore që mësuam nga kjo pandemi është se një virus që të gjithë fillimisht menduam se mund të shkaktonte vetëm sëmundje akute, po lë miliona njerëz me Covid të gjatë. Kështu unë pyeta vetën nëse kjo mund  të ndodhë me viruse të tjera”, tha ai.

Për të hetuar, Al-Aly dhe kolegët analizuan të dhënat mjekësore nga 81,280 pacientë amerikanë që ishin shtruar në spital me Covid dhe 10,985 që ishin shtruar në spital me grip sezonal, duke i ndjekur ata për të paktën 18 muaj për të mësuar rreth rreziqeve të tyre të vdekjes, ripranimit në spital dhe 94 problemeve të tjera që mund të shfaqnin.

Hulumtimi, i publikuar në Lancet, zbuloi se ndërsa pacientët me Covid përballeshin me një rrezik më të madh të vdekjes ose ripranimit në spital në 18 muajt në vijim, të dy infeksionet mbanin një rrezik të konsiderueshëm të sëmundjes së vazhdueshme.

Në të dyja rastet, më shumë se gjysma e vdekjeve dhe sëmundjeve ndodhën në muajt pas infektimit në krahasim me 30 ditët e para. Dhe ndërsa simptomat e lidhura me gripin e gjatë kishin më shumë gjasa të përqendroheshin në mushkëri, për shembull kollë, krahasuar me pacientët me Covid, të dy grupet ishin në rrezik më të madh të lodhjes, problemeve kardiovaskulare, gastrointestinale dhe neurologjike dhe simptomave të lidhura me sistemet e tjera të organeve në muajt në vijim.

“Shumë njerëz mendojnë se kanë kaluar Covid-19 ose gripin pasi kanë dalë nga spitali. Kjo mund të jetë e vërtetë për disa njerëz. Por hulumtimi ynë tregon se të dy viruset mund të shkaktojnë sëmundje të gjata”, tha Al-Aly, duke shtuar se disa njerëz përfundojnë me probleme serioze shëndetësore.

Tani për tani, Al-Aly thotë se gjëja më e rëndësishme është që të reduktohet rreziku i shtrimit në spital nga këto sëmundje, përmes vaksinimit dhe ilaçeve antivirale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë