Ka ndodhur

Pa test dhe pa vaksinë, Austria e Holanda heqin kufizimet e lëvizjes me Shqipërinë

Holanda dhe Austria pothuajse kanë hapur plotësisht dyert për qytetarët shqiptarë, duke hequr kufizimet e lëvizjes që ishin në fuqi deri më tani.

Austria ka vendosur heqjen e të gjitha kufizimeve anti-COVID për pasagjerët shqiptarë me pasaporta biometrike, duke filluar nga data 24 qershor. Lajmi është bërë i ditur nga faqja në Facebook e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, TIA. Për të udhëtuar drejt Austrisë nuk duhet asnjë kriter testi apo vaksine.

I vetmi detyrim, është që pasagjerët që udhëtojnë në Austri, duhet të kenë maskë anti-Covid tip maska FFP2, e ilustruar me foto në faqen e TIA-s. Ndërsa ata pasagjerë që do të kalojnë tranzit për në Austri, duhet të kontrollojnë rregullat e udhëtimit Covid-19, që ka destinacioni final i mbërritjes.

Ndërkohë, ambasada shqiptare në Hagë njoftoi se regjimi i lëvizjeve për shtetasit shqiptarë drejt Holandës ndryshon prej datës 24 qershor. Bazuar në vlerësimin e qeverisë holandeze mbi nivelin e ulët të infektimeve të Shqipërisë, Holanda vendos të lejojë përsëri lëvizjen e lirë të të gjitha kategorive të shtetasve shqiptarë drejt territorit të saj.

Do të lejohet lëvizja e lirë për të gjithë shtetasit shqiptarë edhe për qëllime turistike;

“Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR apo antigjen në destinacion. Gjithashtu nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët të cilët udhëtojnë nga RSH në Holandë, pasi konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh. Udhëzojmë në çdo rast udhëtarët që të kontaktojnë gjithnjë me kompanitë ajrorë që operojnë fluturimet e tyre, pasi këto kompani, në cilësinë e subjekteve private, mund të kërkojnë plotësimin e formularëve të veçantë apo kritere shtesë për pasagjerët në momentin e udhëtimit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Shqiptare në Holandë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë