Tokio 2020

Pa metro, autobus dhe taksi, gara me pengesa e gazetarëve në Tokion “e ftohtë”

Ditët kalojnë dhe kur edhe karantina është duke përfunduar, pyetjet që mbeten janë shumë. E vetmja siguri është se më në fund mund të dilet nga hoteli, pastaj vijnë pikëpyetjet, veçanërisht për transportin. Në fakt, për 14 ditët e para të qëndrimit në Japoni nuk është e mundur të përdorësh mjetet publike, madje edhe në këmbë nuk është e lejuar të lëvizësh nga rregullat e rrepta të qeverisë.

Në këtë situatë, organizatorët vënë në dispozicion disa mjete për të shkuar në fushat e garave, por vetëm duke nisur nga data 23 korrik, kur fillon zyrtarisht Olimpiada e Tokios. Ndërkohë, futbolli dhe softbolli i kanë luajtur ndeshjet e para, por mund të presin.

Rugët e Tokios. Gazeta Si, 23 korrik 2021

Gazetarët kanë në dispozicion edhe një paketë me 14 karta për të përdorur taksi të dedikuara. Problemi “i vogël” është se duhet tërhequr tek IBC (International Broadcasting Center), që është 14 kilometra larg nga hoteli. Megjithatë, ka një rrugëzgjidhje. Është e mundur të porositësh një makinë, që praktikisht si çdo taksi e zakonshme, të vjen të merr dhe të çon në vendin që ti do. Vetëm me prenotim.

Problemi duket i zgjidhur, por mund të kesh telashe, nëse e ul vigjilencën. Dyshimet mbeten dhe nuk ka asgjë për t’u çuditur. Është konfirmuar se qytetarët e Tokios janë kundër organizimit të Olimpiadës, duke parë gjendjen e emergjencës, por më e rëndë është se ata nuk ishin të qartë se ajo do të zhvillohej deri një javë më parë. Praktikisht, dyshimet kanë mbetur deri në momentin e fundit, edhe pse sportistët e parë kishin hapur dyert e fshatit olimpik.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse një pjesë e mirë e qytetit nuk ka asnjë referim për Tokio 2020. Ndoshta gazetarët do të habiten, kur rrugës për në stadium ose pishina do të shohin parulla të ngjyrosura në rrugë dhe pallate. Për momentin mbetet shpresa që Tokio të fillojë të jetojë pak me Lojërat e tij pas ceremonisë, kur të jepen medaljet e para dhe edhe Japonia, si gjithë vendet e botës, mund të bëjë tifo për sportistët e saj, duke harruar për disa ditë se gjendja e emergjencës do të zgjatë deri më 22 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë