Kosova

Osmani takon Lajçakun: Zgjedhjet në veri duhet të mbahen pa vonesa

Nga Gazeta 'Si'-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe në veri të vendit duhet të mbahen pa humbur kohë dhe në përputhje me ligjet e vendit, njoftoi Presidenca.

Ajo i bëri këto komente gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në kryeqytetin kosovar.

“Ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në një njoftim të Presidencës të hënën.

Kosova ka thënë se është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë shkarkohen përmes peticionit nga qytetarët me të drejtë vote.

Osmani gjithashtu i kërkoi Lajçakut që të hiqen masat ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri vitin e kaluar, të cilat tha se “janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”.

Osmani tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi i saj, të arritura në fillim të vitit 2023, duhet të zbatohen plotësisht.

“Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani e përsëriti se duhet të vërtetohet nëse drafti i tij është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë