Kosova

Osmani takim me ambasadorët e QUINT-it: Mungesa e masave ndaj Serbisë mund të sjellë përsëritje terrorizmi

Nga Gazeta 'Si'-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i kërkojë llogaridhënie Serbisë për veprimet e saj kundër Kosovës, “duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste”.

Osmani, gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian bisedoi për situatën e sigurisë pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, tha Osmani, sipas një njoftimi për media.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Serbia ka mohuar se ka gisht në sulmin që Kosova e konsideron terrorist dhe akt agresioni kundër saj.

“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, tha Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë