Kosova

Osmani: Serbia kërkon destabilizimin të gjithë rajonit, jo normalizim të raporteve (PDK e AAK bojkotojnë fjalimin)

Nga Gazeta ‘Si’ - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës kërkoi unitet në lidhje me draftstatutin për Asociacionin, të përgatitur nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Ajo tha se është me rëndësi që të gjithë, pa dallim partiak, të ulen dhe bashkërisht të përgatisin komentet për t’i dërguar ato në Gjykatën Kushtetuese.

“Siç e dini, së fundmi Kosovës i është dorëzuar një propozim, draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni”, tha Osmani.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, shtoi presidentja.

Gjatë fjalimit, i cili u bojkotua nga deputetët e partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Osmani ka akuzuar Serbinë se qëllim ka destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka thënë se "Kosova do t'i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht".

Ajo tha se viti 2023 ishte vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, ku përmendi sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, për të cilin tha se ishte situata më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë.

“Një grup terrorist i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia e mbi të gjitha i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me plan të qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim i të gjithë rajonit. Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza. Ky sulm i cili në vazhdën e ideve e planeve shoveniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë e fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të botës serbe”, tha Osmani.

Osmani tha se plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar, teksa përmendi edhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku nga sulmuesit, i cili u bë dëshmori më i ri në historinë e Kosovës.

“Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e policisë sonë të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë, Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht. Askush dhe asgjë nuk do ta largoj Kosovën nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në të gjithë territorin tonë. Askush dhe asgjë s’do ta largojë Kosovën nga përpjekja e çdo ditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, u shpreh presidentja Osmani.

Në Kuvend ishin të pranishëm deputetët e LDK-së dhe të pozitës


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë