Kosova

Osmani: Numri i policëve serbë të dorëhequr ka shkuar në shtatë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se numri i serbëve që kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në veri, ka arritur në shtatë.

Një ditë më parë është raportuar se tre pjesëtarë serbë të PK-së kishin dhënë dorëheqje nga ku institucion.

Në një konferencë për media, pas vizitës në qytetin e Klinës, Osmani ka thënë se fajtori për këto dorëheqje është në Beograd.

“Ka tashmë informata të konfirmuara, sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve që, rrezikimi i këtyre pjesëtarëve, frikësimi, shantazhimi, vijnë drejtpërdrejt nga Serbia. Burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon që nëpërmjet institucioneve të veta ilegale dhe kriminale në Kosovë t’iu bëjë presion qytetarëve serbë, të cilët janë pro-integrimit, të cilët janë pro-bashkëpunimit, dhe të cilët janë pro-shfrytëzimit të të drejtave që ua ofron atyre edhe kushtetuta, por edhe Marrëveshjet e Brukselit".

Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, për, siç ka thënë ajo, shkeljen e Marrëveshjeve të Brukselit.

Mes tjerash, Osmani ka thënë se në bashkëbisedime private me zyrtarë ndërkombëtarë, ata e pranojnë se presioni ndaj policëve serbë në Kosovë vjen prej Serbisë dhe strukturave të saj.

“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat edhe kanë paraparë që një numër i policëve serbë të jenë të komuniteteve, pra të jenë serbë, varësisht nga kompozicioni i komunave. Unë pres nga BE-ja që të ndërmarrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiçit për shkelje të marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Dorëheqjen e policëve serbë e kanë komentuar më 17 gusht edhe diplomatë ndërkombëtarë që i përfaqësojnë vendet e tyre në Kosovë.

Megjithatë, as Ambasada amerikane në Prishtinë dhe as Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) nuk i kanë përmendur arsyet që kanë rezultuar me dorëheqje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë