Kosova

Osmani: Në Kosovë nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha këtë të premte se në territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se Serbia "do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë" në Kosovë.

Osmani i ka konsideruar këto deklarata si kërcënime të hapura për agresion policor dhe ushtarak.

“Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

Presidentja e Kosovës e ka dënuar edhe plagosjen e një zyrtari policor në rajonin verior më 8 dhjetor, duke e konsideruar një akt të tillë si veprim kriminal.

Policia ka thënë se njësitë që kanë qenë në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata” nga një veturë me targa KM.

Sipas autoriteteve shëndetësore, ai është jashtë rrezikut për jetën.

Osmani ka dënuar edhe sulmet ndaj gazetarëve, pas njoftimit se në mëngjesin e 9 dhjetorit, në pjesën veriore është sulmuar një ekip i mediumit kallxo.com.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ky ekip është sulmuar nga "një grup i maskuar i serbëve në afërsi të Shkollës Teknike”.

Osmani ka bërë thirrje që autoritetet e drejtësisë të mbajnë përgjegjës personat e përfshirë në këto akte.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë