Kosova

Osmani mbledh partitë në presidencë, i pari shkon Kurti. SHBA: Të respektohet vendimi i Gjykatës

Kosova po shkon sërisht drejt zgjedhjeve të reja duke vënë në lëvizje të gjithë skenën politike në Prishtinë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet të sot me përfaqësuesit politikë për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Pas vendimit se qeveria e udhëhequr Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese për shkak të votës së deputetit Etem Arifit,  kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale, gjykata konstatoi se presidentja në detyrë duhet të shpall zgjedhjet.

Disa orë pas vendimit, presidenca ka njoftuat se do të presë krerët e partive politike për të rënë dakort për datën e zgjedhjeve. Takimet e Osmanit nisin nga ora 13:00. Takimi i parë është me Albin Kurtin.

Partitë e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve ende nuk kanë komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas mediave në Kosovë, ky vendim ishte surprizë e hidhur edhe për qeverinë.

Përveç Vetëvendosjes, partive të tjera nuk i i leverdisin zgjedhjet. Albin Kurti ka kërkuar vazhdimisht që të mbahen zgjedhjet e reja. Ishte partia e tij ajo që e dërgoi në Kushtetuese për interpretim të kushtetuetshmërisë votën e Arifit për Qeverinë Hoti.

Pas vendimit, partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi po ashtu që zgjedhjet të mbahen sa më parë, pasi tha se Qeveria Hoti nuk e ka shumicën në parlament, që gjë sipas PDK-së, pamundësoi kalimin e ligjeve.

Më herët, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ishte deklaruar kundër shkuarjes në zgjedhje pasi koalicionit qeveris i takon posti i presidentit.

Osmani nga ana tjetër tashmë veç ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re, kjo pasi LDK-ja, e shkarkoi atë nga posti i nënkryetares së partisë në muajin qershor dhe nga funksionet e tjera partiake, pasi ajo është shprehur kundër Qeverisë Hoti.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar mëngjesin e sotëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë, duke u bërë thirrje partive politike që ta respektojnë këtë vendim.

Ambasada amerikane ka kërkuar që institucionet të sigurojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe paqësore.

“Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve në Kosovë të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të sigurojnë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe paqësore”, thuhet në komunikatën e ambasadës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë