Kosova

Osmani: Anëtarësimi në NATO, qëllim strategjik i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se anëtarësimi në NATO, është qëllim strategjik i Kosovës.

Sipas saj, anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, kontribuon në rritje të sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Megjithatë, Osmani ka thënë se anëtarësimit në NATO duhet t’i paraprijë përfshirja e Kosovës në programin e aleancës, Partneriteti për Paqe.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me Stoltenbergun në Nju Jork, në të cilin ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës në këtë program, ndonëse kanë rikujtuar se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i 30 vendeve anëtare të Aleancës.

Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 27 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo.

Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë. NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit të saj KFOR.

Të mërkurën(21 shtator), NATO-ja ka dërguar disa trupa rezervë të misionit KFOR për stërvitje në Kosovë.

Komandanti rajonal i KFOR-it, koloneli Christopher Samulski, ka thënë se ato janë pjesë e "planifikimeve normale".

Më 20 shtator, NATO-ja ka thënë se është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve në mesin e minoritetit serb, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.

“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.

Sipas tij, situata, aktualisht, është e qetë, por e brishtë, andaj NATO-ja nuk e përjashton mundësinë e tensioneve të reja apo të dhunës, kur të skadojë afati për riregjistrimin e veturave, më 31 tetor.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar më 31 korrik, një ditë para se Qeveria e Kosovës të niste zbatimin e vendimit për dokumentet për hyrje/dalje dhe regjistrimin e targave të makinave në RKS.

Serbët lokalë kanë vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Për shkak të tensioneve, dhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës e pati shtyrë zbatimin e vendimit për një muaj dhe barrikadat më pas janë hequr.

Ndërkohë palët janë dakorduar për çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, ndërsa vendimi për regjistrim të makinave, ka hyrë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë ofruar hollësi se si do të veprojnë pas skadimit të këtij afati.(REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë