Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, ka kallëzuar kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, një ditë pasi ky i fundit e çoi në SPAK.
Në padi theksohet se faktet e paraqitura nga Bardhi, sipas Olsi Ramës janë të pavërteta dhe janë publikuar me qëllim nga kreu i grupit të PD.
Rama kërkon regjistrimin e padisë, ku Bardhi akuzohet për “Kallëzim të rremë”.
“Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cenuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës.
Fakti që zotëria aspak i nderuar, ka marrë përsipër të më akuzojë si trafikant droge, thjesht dhe vetëm sepse unë jam vëllai i një kundërshtari politik, të cilin prej vitesh tanimë janë cfilitur më kot ta mundin, duke mos lënë asnjë anëtar të familjes sonë pa sulmuar me gjuhën e pistë të shpifjeve, kërkon përgjigje! Jo thjesht nga unë, po nga drejtësia!
Unë nuk jam politikan dhe s’kam asnjë lidhje tjetër me politikën, përveçse si votues i tim vëllai ashtu si qindra mijëra të tjerë dhe arsyeja kryesore e neverisë time të hershme me politikën është pikërisht kthimi i shpifjeve në një normalitet të jetës publike”, thotë Olsi Rama.
Më tej ai thekson:
“Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.