Drejtësia

Organizoi vrasjen e Devi Kasmit, dënohet me burg përjetë Aurel Hoxhallari

Gazeta Si - Aurel Hoxhallari u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për urdhrin dhe organizimin e vrasjes së Devi Kasmit.

Hoxhallari është shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, kultivim e shitje të narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal. Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që Hoxhallari ta kryejë dënimin në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

Më herët, SPAK i kërkoi gjykatës që Hoxhallari të shpallet fajtor për urdhrin e vrasjes së Devi Kasmit, ngjarje që ndodhi më 29 janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.

Ekzekutimi dyshohet se u porosit pas prishjes së pazareve të drogës në Francë dhe Spanjë mes dy palëve. Hoxhallari nuk i ka pranuar kurrë akuzat.

Për të njëjtën çështje është dënuar po me burgim të përjetshëm edhe ish-komandoja i ushtrisë greke Efthymiou Efthymious.

Sipas dosjes hetimore, kamerat e sigurisë kanë fiksuar në orën 19:26 minuta, të 29 janarit 2018, natën kur ndodhi krimi, pranë banesës së Kasmit, në zonën e Spitalit Pediatrik, një furgon i bardhë dhe i mbyllur nga pjesa mbrapa, i cili qëndron në pritje për disa sekonda dhe më pas merr personin që dyshohet të jetë Efthymious, por duke qenë i maskuar, është i pamundur identifikimi i tij.

Devi Kasmi u qëllua për vdekje me 4 plumba sapo mbërriti poshtë banesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë