Futboll

Organizimi i klubeve, FSHF thërret presidentët e Superiores

Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë nesër një takim me të gjithë presidentët apo drejtuesit kryesorë të klubeve të Superiores. Një takim i kërkuar nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, pasi nesër nis zyrtarisht procesi i licencimit për sezonin 2020-2021. Qëllimi i takimit është diskutimi për një organizim më të mirë të klubeve kryesore në vend në çdo drejtim, duke nisur nga procedura e licencimit, që është shumë e rëndësishme, për të vazhduar më pas me anën menaxheriale, raportin financiar, marketingun, anën juridike etj.

Në bashkëpunim me ekspertë të UEFA-s, Federata jonë ka në plan të zhvillojë gjatë sezonit disa trajnime me drejtuesit e klubeve, në mënyrë që këta të fundit të jenë sa më të informuar dhe të përgatitur për një organizim efikas. Trajnimet shtrihen në gjithë vendin dhe përveç anës organizative të klubit, ku puna shtrihet në shumë degë, gjatë këtyre trajnimeve do të ketë informacion edhe sa i takon sigurisë në stadiume. Pra, klubet do të trajnohen edhe për mënyrën si duhet të organizojnë një ndeshje futbolli për të mos pasur probleme sigurie, pasi ky është një problem që kohët e fundit ka marrë përmasa të mëdha në vendin tonë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë Asamblesë së Përgjithshme. Gazeta Si, 25 shtator 2019

Pjesë e trajnimeve, sipas njoftimit që FSHF-ja ka shpërndarë, është edhe pjesa sportive. Fokusi do të jetë tek organizimi efikas i akademive, pasi klubet e futbollit duhet të bazohen pikërisht te ky element. Së fundi Komiteti Ekzekutiv ka vendosur për një tarifë kompensimi mbi trajnimin e të rinjve, një vendim që konsiderohet shumë i rëndësishëm për klubet tona. Më shumë detaje do të mësohen në takimin e nesërm në FSHF mes drejtuesve të saj dhe presidentëve të klubeve të Superiores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë