Komunitet

Orët e fundit të masakrës në Resulaj

Nga Anila Hoxha- Pas drekës, Olardio hapi telefonin. Po bëhej gati të kthehej për në Panaja kur u zverdh i gjithi nga mesazhi që pa në Facebook. Nuk kishte parë kurrë diçka të tillë ndaj duke bërtitur thirri të atin Spartakun.

“O ba, shiko ç’më dërgoi Ritvani”, bërtiti nga larg.

 Ishte një filmim në oborrin e një shtëpie pak me tej, ku dukeshin dy njerëz të shtrirë përtokë. Shtëpia ngjante si ajo e Demirit.

Por më pas tingëlloi telefoni, si për të ndjellur tmerrin që kishte ndodhur në fshatin Resulaj. Kësaj radhe ishte Sadiku. Babai i Ritvanit po ulërinte e po vajtonte në telefon. I njoftoi për vrasjen e Afreditës dhe të Azemit dhe pak minuta me vonë me britma e ulërima, ju dha lajmin e tmerrshëm për vdekjen e Demirit...Perrijes...Vasilikës....Besimit...Sarës dhe Ledionit të vogël që erdhi në këtë bote në 13 janarin e vitit 2010 dhe iku një të premteje gushti, nga ato që na marrin frymën me tragjedi të padëgjuara. Në gjendje të rënduar, babai i vrasësit njoftoi policinë. Duke ulërirë e mallkuar ai i tha policisë që i biri " i ka vrarë... i ka vrarë të gjithë." Ora e keqe e asaj të premteje ishte 16:45, kur një kallashnikov që nuk dihet nga u nxor vrau 8 persona, të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin e me shtëpitë afër e afër.

“Fshije- e urdhëroi i ati- Ç’janë këto gjëra kaq të rënda. Ku e gjete?”

Shtëpia ku u mbajt dreka e fundit e fisit Zykaj dhe ku ekzekutuan 8 viktimat

Dreka e fundit

Në orën 13.30 e ëma e vrasësit, Lindita, pasi mbylli punët e fshatit, mori rrugën me gëzim se bashku me fëmijët e saj. Para ishte kunati i saj Bujari me të birin Ritvanin. Pas tyre ajo me të bijën Noçen, po shkonin për dreke disa shtëpi më tej, tek vjehrri. Kishin ardhur krushqit nga Panajaja kështu që sa mirë që do takoheshin, plus që në vapë nuk bëhet asnjë pune në fshat. Rrugës 40- vjeçarja Vasilika( e vrarë më pas), doli ne ballkon dhe i tha sërish se djemtë e saj po e vjedhin.

 "Sot më vodhën prapë pulat e detit “- i tha.

Ata i thanë Ridvanit të vazhdojë përpara të shkoje tek dreka se ata e arrijnë për pak dhe u kthyen tek shtëpia e Vasilikës. Hetuesit thonë se të rriturit folën ca minuta me njëri- tjetrin, sqaruan mosmarrëveshjen dhe u ndanë qetësisht. Dhe u ndanë, pa e ditur se po ndaheshin përgjithmonë.

Gjatë drekës

Në tryezë u diskutua për hallet e përditshme. Nuk lanë pa përmendur edhe debatin e fundit, ja ashtu kalimthi. Ridvani u ankua një moment se gjithmonë për çdo gjë akuzonin atë. Piu vetëm një birrë. Ishte fjalë pak. Foli me Olardion për çfarë flasin të rinjtë dhe pasi u takua me të gjithë, kërkoi falje dhe iku 30 minuta me herët. Pas drekës, të tjerët po qëndronin në verandë. Dëgjuan krisma. Pasi breshëria pushoi prindërit e Ritvanit u larguan, me mendimin se po ktheheshin si zakonisht drejt shtëpisë së tyre e halleve të tyre. Por po shkelnin drejt një rruge në të cilën, djali i tyre i mesëm sapo ishte arratisur bashkë me një kallashnikov që e zbrazi ndaj 8 kushërinjve. Po shkonin drejt një rruge që do ta gjenin të mbushur me kufoma. Asnjeri prej tyre që ishte në drekën e fundit, nuk e dinte se kur trokitën shishet e birrës po thoshin "gëzuar" për herë të fundit. Pas tragjedisë vërtet jeta vazhdon, po në fisin Zykaj, për ata që mbetën është tmerrësisht e vështirë të vazhdosh përpara.

Varrimi i 8 vitimave të fisit Zykaj 

Pas tragjedisë

Në Vlorë dhe në Labëri, tragjedia diskutohet e diskutohet. Zemrat janë ftohur. Na ka lënë dhimbje. Vështirë të kalosh asaj rruge, pa ndaluar një çast e pa ndezur cigare. Të gjithë hedhim sytë nga shtëpitë në kodër. Tashmë nuk dimë se me kë do të flasim, me kë do të shkëmbejmë mendime të kundërta dhe pa bërë sherr. Resulaj, përveç tronditjes, ka prodhuar frikë. Dikush lutet: “O zot na i bëj të aftë fëmijët të përballojnë vështirësitë", një tjetër e porosit 100 herë të birin kur del nga shtëpia, t’i shmanget sherrit, të mos ulet me këdo në tavolinë. Frikë, frikë që në Tiranë nuk ka si të lexohet sepse Resulaj ishte një masakër atje larg, larg shtëpive tona.

Marrë nga Facebook-u i Anila Hoxhës. (Shkrimi bazohet në dëshmitë e Sadikut, Linditës. Hoveljandos, Pashakos, Spartakut, Fiqiriut, Bujarit dhe Kujtimit.)

Ritvan Zykaj, autori i masakrës në fshatin Resulaj

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë