Bota

Orban: Europa po përgatitet për luftë kundër Moskës. Rusia nuk di as të fitojë në Ukrainë!

Gazeta Si - Është Europa ajo që po përgatitet për një luftë me Rusinë, dhe jo anasjelltas dhe “nuk ka gjasa që Rusia të sulmojë një vend të NATO-s. Diskutimi për ‘kërcënimin rus’ nuk është gjë tjetër, veçse një marifet perëndimor për t'u përgatitur për luftë”.

Kështu u shpreh kryeministri hungarez Viktor Orban, në fjalimin e tij tradicional të së premtes në mëngjes në radiostacionin kombëtar “Radio Kossuth”.

Orbán më pas specifikoi gjithashtu se "juristët dhe zyrtarët tanë po punojnë për të parë se si Hungaria mund të ruajë anëtarësimin e saj në NATO pa marrë pjesë në veprimet e Aleancës jashtë territorit të NATO-s".

Referenca ka të bëjë me luftën në Ukrainë, ndaj së cilës kryeministri hungarez shpesh ka thënë hapur se është kundër.

"Probabiliteti që dikush, ne nuk po flasim vetëm për Rusinë, por për dikë tjetër, sot të vendosë të sulmojë një vend të NATO-s, është jashtëzakonisht e vogël, - tha Orban. - NATO është një aleancë mbrojtëse dhe nuk do të tolerojë veprime ushtarake që cenojnë sovranitetin e asnjë vendi të NATO-s. Prandaj i interpretoj këto referenca ndaj kërcënimit rus më tepër si manovra nga Perëndimi dhe Evropa për t'u përgatitur për të hyrë në një luftë".

Fjalë nxitëse nga kreu i qeverisë së një vendi, Hungarisë, që është edhe anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s.

Atmosfera në Evropë është ajo e “një hyrje të mundshme në luftë”, thotë ai, duke bërë një paralele me Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

“Dinamika në Bruksel, më shumë se në Uashington, po hedh themelet për një konflikt të mundshëm të drejtpërdrejtë ushtarak”.

Nga ana tjetër, sipas Orbanit, Moska tregoi dobësi ushtarake në Ukrainë. “Ushtria ruse po bën një luftë serioze dhe të vështirë kundër ukrainasve. Nëse ata do të ishin mjaftueshëm të fortë për të shtypur ukrainasit, do ta kishin bërë tashmë".

Dhe aftësitë ushtarake të Aleancës, vazhdon ai, janë shumë më të mëdha se ato të Kievit: "Nuk më duket logjike që Rusia, e cila nuk di as të fitojë në Ukrainë, mund të vijë papritur dhe të godasë Perëndimin”.

Pra, diskutimi për një luftë ruse, është instrumentale për veprimin e luftës evropiane.

Hungaria e Orbanit nuk kontribuon në ndihmën evropiane për Ukrainën dhe po përpiqet të tërhiqet nga programet e NATO-s për Kievin.

E gjithë fushata e partisë së Orbanit për zgjedhjet evropiane bazohet në tërheqjen nga konflikti, i përcaktuar nga Ministri i Jashtëm i Budapestit si "një mision i çmendur".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë