Politike

Opozita parlamentare letër SHBA-BE: Po bëni hesapet pa hanxhiun!

Pjesa dërrmuese e deputetëve të opozitës parlamentare kanë firmosur një letër publike adresuar Ambasadës Amerikane dhe zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë, ku kërkojnë përfshirjen në tryezën e negociatave për reformën zgjedhore, në të kundër kërcënojnë me mosvotimin çdo pakti që arrihet pa pjesëmarrjen e tyre.

Deputetët e opozitës parlamentare, në emër të të cilëve në Këshillin Politik flet Rudina Hajdari shprehen të zhgënjyer që në këtë Këshill asnjë propozim i tyre nuk është marrë parasysh.

"Një mësim i vjetër shqiptar na kujton gjithmonë se asnjëherë “nuk bëhen hesapet pa hanxhinë”. Ne vlerësojmë se përjashtimi i plotë i opinioneve të larmishme të opozitës parlamentare është fyes për të gjithë ne. Ne jemi deputetë të ardhur në Kuvendin e Shqipërisë me pëlqimin dhe propozimin zyrtar të udhëheqësve të partive, që kanë braktisur sot Kuvendin. Zgjedhja jonë ka qenë e qartë: mes luftës së verbër të revanshit politik të ish-udhëheqësve tanë dhe rrugës së respektit për zgjedhësit bashkë me respektin për frymën e Kushtetutës dhe të ligjit, ne vendosëm të zgjedhim Kushtetutën dhe ligjin, aspak Luli Bashën dhe Monika Kryemadhin”, thuhet në letër.

Opozita parlamentare nuk këmbëngul më tek ndryshimi i sistemit, por këmbëngul tek hapja e listave.

“Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë pasqyrë e pastër e reflektimit të plotë, jo copa-copa, të të gjitha rekomandimeve të raporteve të një pas njëshme të OSBE/ODIHR dhe aspak pazari i radhës së dy partive të mëdha, ose më mirë ish “të mëdha” dhe të patericës së tyre presidenciale për komisionerët e tyre partiakë, që kanë qenë dhe mbeten kanceri i zgjedhjeve prej 30 vitesh. Ne jemi të gjithë në një mendje: një pazar të tillë, që mund të duket si marrëveshje, por që ka shkatërruar rekomandimet e vyera të ekspertëve të ODIHR-it, nuk do ta votojmë. Ne jemi po ashtu të një mendjeje, që Kodin e ri Zgjedhor, nuk do ta votojmë, në rast se shumica në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur me ne, për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura”, vijon letra.

Letra është firmosur nga 29 deputetë të opozitës parlamentare, por aty mungon emri i Rudina Hajdarit, Andi Përmetit dhe Ralf Gjonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë