Politike

Kushtetuesja, PD: Puç KED-Kuvend! Gara u paracaktua

Partia Demokratike e cilëson puç kushtetues të Edi Ramës kundër drejtësisë së pavarur zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kuvendit. PD akuzon për bashkëfajësi të njëjtin emër që më herët akuzoi për shkelje proceduriale dhe administrative Ilir Meta.

“I gjithë procesi i kryer nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, me porosi të Edi Ramës ka sjellë një produkt antikushtetues, që eleminoi garën dhe çoi në votim fiktiv nga Kuvendi. Edi Rama, nëpëmjet KED, ka paracaktuar anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetutuese. Prandaj e kishte jetike kapjen e KED, të cilin e bllokoi për dy vjet, bashkë me Gjykatën Kushtetuese, derisa e mori nën kontroll me Ardian Dvoranin dhe Arta Markun”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi.

PD thotë se Kushtetuta u shkel që me numrin e kandidatëve.

“Për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishte 12 kandidatë siç kërkon Kushtetuta, por vetëm 4 kandidatë të vlefshëm për përzgjedhje. Këta janë të njëjtët emra si për Presidentin, ashtu edhe për Kuvendin. Kjo do të thotë që për 1 vend në Gjykatën Kushtetutese, kishte vetëm 1 kandidat, dhe jo 3 siç e detyron Kushtetuta, duke paracaktuar anëtarët dhe duke e bërë votimim fikiv”, vijoi Bardhi.

Për këtë arsye, opozita akuzon se votimi i Kuvendit provoi që emërimet në Gjykatën Kushtetuese ishin të paracaktuara, duke cenuar rëndë besimin e publikut tek ky institucion.

Votimi i sotëm i Kuvendit është antikushtetues dhe i papranueshëm. Ai provoi që emërimet në Gjykatën Kushtetutese ishin të paracaktuara, duke cenuar rëndë besimin e publikut tek Gjykata Kushtetuese.

Mazhoranca mbrohet duke thënë se Kushtetuta kur përcakton radhën nënkupton institucionin kompetent, jo kohën e veprimit për të zgjedhur anëtarin. Por, PD ndan të njëjtin mendim me Presidentin sa i takon kësaj pike dhe thotë se mungesa e Gjykatës së Lartë nuk ishte pengesë që Presidenti dhe Kuvendi të respektonin radhën e njëri-tjetrit.

“Shmangia e garës, paracaktimi i kandidatëve, kontrolli politik i procesit nëpërmjet KED, është i papranueshëm. Nga ana tjetër, nëpërmjet votimit të dy kandidatëve, përnjeherë, Kuvendi ka shkelur një tjetër urdhërim të Kushtetutës dhe ligjit. Kjo është shkelja e dytë e Kushtetutës nga Kuvendi. Kushtetuta është e qartë. Ajo përcakton rradhën e përzgjedhjes së kandidatëve nga secili institucion.

Nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme që rradha e përzgjedhjes që ka përcaktuar Kushtetuta të mos respektohet. Mungon vetëm Gjykata e Lartë, që është një rrethanë e pavarur nga vullneti i Kuvendit dhe i Presidentit. Prandaj edhe rradha që ka caktuar Kushtetuta, për Presidentin dhe Kuvendin, është e detyrueshme të zbatohet”, deklaroi Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm e cilësoi si alibi të mazhorancës afatin 30-ditor për Presidentin.

“Afati 30-ditor për Presidentin nuk ekziston në Kushtetutë. Është alibi e ngritur nga Rama, me pasoja në funksionimin normal të Gjykatës Kushtetutese.

“Në Kushtetutë, ndryshe nga Kuvendi, Presidenti nuk ka asnjë afat. Përpara çdo ligji, Presidenti është i detyruar t’i bindet Kushtetutës, e cila e detyron të respektojë radhën e përgjedhjes së anëtarit të dytë, pas Kuvendit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë