Politike

Opozita e re: Duam zyra, s’dalim dot në qytete se na quajnë tradhtarë

Kuvendi ka ndryshuar Rregulloren e funksionimit dhe është parashikuar që çdo javë e fundit të muajit të shërbejë si një mundësi për deputetët për të zhvilluar takime me elektoratin. Por deputetët e opozitës e re në Parlament po hasin në vështirësi në takime me bazën, pasi nëpër qytete po cilësohen si tradhtarë.
Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve është ngritur shqetësimi se deputetët e opozitës nuk kanë zyra dhe se po sulmohen nga njerëzit në takimet që po i cilësojnë. Deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi në mbledhjen e datës 14 tetor, e zhvilluar me dyer të mbyllura, duke iu drejtuar Ruçit u shpreh: “Zoti Kryetar, në seancën plenare të kaluar, së bashku me deputetin Zef Shtjefni paraqitëm disa problematika, lidhur me kontaktet me qytetarët. Kur shkoj në takimet në zona kemi një problem, pasi nuk kemi zyra, sekretarë. Është shumë e vështirë kontakti me qytetarët, duke parë dhe situatën politike”.
Kryeparlamentari nga ana e tij ka theksuar se në shkallë qarku janë ngritur 12 zyra për grupin e mazhorancës dhe të opozitës. E gjithë opozita pavarësisht se si përbëhet ka një zyrë të përbashkët, ndërsa mazhoranca 12 zyra më vete.
“Lidhur me zyrat dhe sekretarët duhet të dini që, në 12 qarqe janë 24 zyra. Së pari, në 24 zyra, 12 zyra i ka mazhoranca dhe 12 opozita. Kur flas për mazhorancën i referohem të gjithë grupeve të mazhorancës, njëkohësisht kur flas për opozitën, i referohem të gjithë grupeve të opozitës”, replikoi Ruçi. Në procesverbalin e mbledhjes të siguruar nga Gazeta Si, kryeparlamentari ka bërë të ditur se vetëm dy qarqe kanë probleme dhe se të tjerat janë plotësuar edhe me sekretarë. Ai ka shtuar se sekretarët janë të detyruar t’u hapnin zyrat dhe madje të mbajnë shënim në një procesverbal takimet që bëjnë.

Faksimile e procesverbalit të mbledhjes së konferencës së Kryetarëve


Deputeti ballist nuk është ndalur me kaq, ndërsa i ka shprehur shqetësimin se nuk mund të organizojë takime në Vlorë, pasi e sulmojnë dhe zyrat e opozitës i ka nën kontroll grupi tjetër, ai “Demokrat”.
“Sikurse e shpreha, se situata politike është shumë e vështirë. Unë shkoj në Vlorë dhe njerëzit më sulen si tradhtar e ku di unë çfarë tjetër. Ku do ulemi ne dhe ku do kontaktojmë, pasi nuk mund të ulemi në terren dhe nëpër kafe! Të dy grupet parlamentare i kanë ndarë zyrat, për ne nuk ka asgjë. Të shikohet mundësia, sepse situata politike është problem për ne dhe jo për ju”, theksoi Alimadhi.

Deputetet, Adriatik Alimadhi, Korab Lita, gjate një mbledhje të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Gazeta Si, 22 tetor 2019


Deputetët e opozitës në jo pak raste janë sulmuar nga mbështetësit të PD-së që janë cilësuar si tradhtarë për shkak se kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit. Situata jo pak konfliktuale kanë pasur edhe vetë deputetët Shtjefni dhe Alimadhi, por edhe kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi gjatë një ceremonie përkujtimore përkujtimore të 76- vjetorit të betejës së Gërhotit ku u vranë 36 ballistë në përpjekje me pushtuesit italianë. Përkrahësit e PD-së kundërshtuan prezencën në këtë ceremoni të Artur Roshit, deputetit të Partisë Balli Kombëtar Demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë