Gazeta Si - Gjashtë të arrestuar, mes tyre edhe një ish-zyrtar policie, është bilanci i një operacioni ndërkombëtar antidrogë në Kurbin, ku është goditur një grup kriminal që vepronte në zonën e Fushë Kuqes.
Në një deklaratë për mediat, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga, tha se u bllokuan 4 gomone një ditë më parë.
Bizhga theksoi se droga e kapur në vendin ku trafikantët dogjën velierën kishte destinacion ndërkombëtar.
Mësohet se 6 persona janë arrestuar (shqiptarë e të huaj), si dhe janë sekuestruar: 28 kg kanabis, 2 armë, 200 fishekë luftarakë, një “Audi”, 45 mijë euro, 250 mijë lekë, 2 mijë lira turke, 500 paund dhe 25 celularë.
Bëhet fjalë për 4 shtetas shqiptarë: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe dy shtetas ukrainas: Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
“Operacioni ka nisur 14 gusht në orën 22 deri më 15 gusht. Në momentin që u rrethuan nga mjetet lundruese të Guardia di Financas, i kanë vënë flakën gjërave të paligjshme. Deri në orën 16:00 janë kërkuar provat materiale, janë arrestuar 6 shtetas të huaj dhe shqiptarë”, - tha ai.
Bizhga theksoi po ashtu se trafikantët e dogjën mjetin lundrues në momentin që u afrua policia dhe se grupi shqiptar do shkëmbente kanabisin me drogë tjetër me 2 ukrainas.
Katër gomonet e bllokuara tanimë nga autoritetet mësohet se janë nisur rreth orës 19:00 të pasdites nga Patoku.
Veliera ishte me flamur ukrainas i nisur nga Mali i Zi dhe droga do shkëmbehej në Adriatik, 18 milje nga laguna e Patokut.
Nga 6 të arrestuarit, 4 janë shqiptarë dhe 2 ukrainas. Mes të arrestuarve është edhe Arlind Ismailuka, ish-shef policie. Baza e grupit kriminal ishte në Fushë Kuqe të Kurbinit.
Po ashtu mësohet se janë ushtruar kontrolle në një kompleks luksoz në Fushë-Kuqe ku janë gjetur dhe dy armë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.