Ka ndodhur

Operacioni “Bregdeti Ynë”, 67 milionë lekë gjoba për ndërtimet pa leje

Gjobat e vendosura deri tani nga IKMT për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdet, kanë arritur shifrën prej 67 milionë lekë.

Sipas ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, operacioni për mbrojtjen e territorit do të vijojë në çdo zonë ku konstatohet që ka shkelje të ligjit

“Që prej nisjes së operacionit dhe deri më sot IKMT, krahas shembjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të inerteve, ka vendosur 67 milionë lekë gjoba për 44 subjekte, - shkruan Çuçi në rrjetet sociale. - IKMT dhe Policia e Shtetit po vijojnë operacionin sipas planit të punës në ato zona të bregdetit ku janë evidentuar objektet e ngritura në shkelje të ligjit. Po e pastrojmë të gjithë vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil, me bindjen se kjo është rruga e duhur për të mbrojtur këtë pasuri tonën të përbashkët dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”.

Çuçi bën edhe një paralajmërim për të gjithë ata që nuk e kanë marrë seriozisht operacionin “Bregdeti Ynë”: “Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shprehet ai.

Pjesa më e madhe e subjekteve të gjobitura është në zonën e Ksamilit, pastaj vijnë Velipoja dhe Shëngjini. IKMT raportoi pak ditë më parë se janë shembur 10 objekte pa leje në Velipojë, 18 në Ksamil dhe 10 në Shëngjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë