Rend dhe Ligj

SPAK godet klanet kriminale / GJKKO lëshon 43 urdhër-arreste, mes tyre për vëllezërit Avdylaj, Bami dhe Dukaj. Në kërkim ish-deputeti socialist, Arben Ndoka

Gazeta Si - Një operacion policor me urdhër të SPAK po zhvillohet këtë të premte, pasi GJKKO lëshoi 43 urdhër arreste, ndërsa po ekzekutohen 10 masa sigurimi, ku mes "kokave" të krimit të organizuar të shpallur në kërkim, është dhe ish-deputeti socialist, Arben Ndoka. 

Në mesin personave të cilët janë shpallur në kërkim në fakt janë disa prej emrave më të njohur të botës së krimit, si Durim dhe Valter Bami, Leonard dhe Erlis Duka, vëllezërit Avdylaj, Plaurent Dervishaj, Endrit Dokle dhe Lul Berisha, i cili është i arrestuar në Spanjë.

Por ajo që mund t'ia shuajë entuziazmin këtij operacioni, është se shumë prej personave që u është firmosur urdhër-arresti, dyshohet se janë në Dubai prej kohësh apo ndodhen në qelitë e burgjeve të dënuar për vepra të tjera penale.

Sipas burimeve, mësohet se SPAK në bashkëpunim me policinë, ka zbardhur ngjarje të vjetra kriminale që kanë tronditur mbarë opinionin publik.

Aksion i forcave të policisë

Hetimet e SPAK nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve në aplikacionin Sky ECC që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

Sipas informacioneve, emri i tij u bë publik në dosjen “Metamorfoza”, ku eksponentë të krimit bisedonin me kodet përkatëse në aplikacionim “SKY” ku porosisnin eliminimin fizik të kundërshtarëve të tyre.

Aksioni po zhvillohet në disa qytete të vendit, Tiranë, Fushë Krujë, Lezhë, Kurbin dhe Vlorë, ku po marrin pjesë forcat e policisë lokale, RENA dhe FNSH-ja.

Urdhër arreste të lëshuar nga SPAK:

1.Leonard Duka

2.Erlis Duka

3.Astrit Avdylaj

4.Altin Avdylaj

5.Valter Bami

6.Durim Bami

7.Endrit Dokle

8.Plarent Dervishaj

9.Arben Ndoka, ish-deputeti i PS

10.Xhevi Ndoka në burg, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka

10.Fatmir Hyseni

11.Albert Zaja, i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit

12.Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca

13.Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca

Ky aksion është “aktivizuar” pas zbërthimit të shumë bisedave në aplikacionin e koduar SKY ECC, ku figurojnë "kokat" e krimit në Shqipëri.

Ish-deputeti socialist, Arben Ndoka

Arben Ndoka ka qenë i arrestuar edhe më herët. Në vitin 2018, ai u prangos në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, kur u lëshuan 34 urdhërarreste.

Në atë kohë, ai u akuzua për abuzim dhe tjetësim me pronat në bregdetin e Lezhës. Megjithatë, në vitin 2021, Gjykata e Lezhës vendosi ta pushtonte çështjen ndaj ish-deputetit. Emri i Ndokës gjithashtu doli nga përgjimet si i përfshirë për këtë çështje në lidhje me grupin kriminal të Avdylajve në Shijak. Masë siguire është lëshuar edhe për Xhevi Ndokën, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka.

Xhevi Ndokës i komunikohet masa e sigurisë në qeli, duke qenë se ndodhet në burg pasi është dënuar nga Apeli i GJKKO si pjesë e grupit që tjetërsoi 234 mijë metra katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun.

Apeli i GJKKO ka dënuar Xhevi Ndokën në total me 10 (dhjetë) vjet burgim, ndërsa po për këtë çështje është dënuar me 5 vite e 4 muaj burg edhe e motra Mimoza Ndoka.

Mësohet se urdhër arrest është lëshuar edhe për vëllezërit, Astrit dhe Altin Avdylaj dhe Durim e Valter Bami.

Dy të fundit dyshohet se ndodhen në Dubai, ndërsa janë ushtruar kontrolle në banesat e tyre në Nikël. Urdhër arrestet janë lëshuar nga prokurori i SPAK, Alfred Shehu pas zbërthimit të aplikacioni Sky ECC.

Sa i takon qytetit të Tiranës, burime bëjnë me dije se janë lëshuar mbi 10 urdhër arreste nga GJKKO për krim të organizuar. Kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Freskut në banesat e fisit Dukaj, armiq të Ervis Martinaj.

Urdhër-arrest ka dhe për Fatmir Hysenin, i cili njihet ndryshe si “Doqja”, i cili dyshohet si një prej personave që ka lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt. Pjesë e listës janë dhe vëllezërit Avdylaj që njihen ndryshe si “të fortët e Shijakut”.

Elvis Ndreca, Armando Ndreca dhe deputeti socialist, Eduard Ndreca

Në qytetin e Lezhës kontrollet janë ushtruar prej mesnatës, ku policia ka zbarkuar në lagjen ‘SMT’ ku kanë ushtruar kontrolle në një pallat.

Në kuadër të operacionit të SPAK, është lëshuar urdhër arrest edhe për Armando dhe Elvis Ndrecën, që sipas burimeve janë vënë në pranga.

Armando Ndreca është vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca, ndërsa Elvisi është djali i xhaxhait të ligjvënësit socialist.

Armando Ndreca u arrestua më 10 mars, me dyshimin se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, pas zbulimit të një stani të kthyer në shtëpi bari në një fshat të Lezhës. Por Ndreca u lirua nga gjykata pasi nuk kishte prova që vërtetonin implikimin e tij në kultivimin e drogës, ku u arrestuan 2 persona.

Në Larushk të Fushë-Krujës burime bëjnë me dije se është ushtruar kontroll në shtëpinë e Albert Zajës, i dënual me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.

Sa i takon qytetit të Vlorës, kontrollet kanë nisur që prej orës 04:00 të mëngjesit dhe janë kontrolluar banesa për persona që janë në kërkim ose me precedentë. Deri më tani mësohet se janë kontrolluar dy banesa por nuk janë gjetur personat për të cilin kishin masën e sigurisë.

Lul Berisha, i arrestuar në Spanjë

Pjesë e listës së gjatë të urdhërarresteve të lëshuara sot nga GJKKO, janë dhe 3 persona të cilët janë në Spanjë. Mes tyre është Lulzim Berisha, i cili ra në pranga më 14 dhjetor 2023, pas 3 vitesh arrati.

Arrestimi i tij u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes palës shqiptare dhe agjencisë FAST të Spanjës. I konsideruar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare.

Konkretisht në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.

Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.

4 vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia.

Për të SPAK ngre akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005. Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg. Kërkesë kjo e cila pritet të realizohet vetëm pas përmbylljes së procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga Spanja, ka komentuar operacionin e SPAK në bashkëpunim me policinë. Balla vlerësoi operacionin dhe tha se ka ardhur koha për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

‘Përgëzoj SPAK, dhe prokurorët që kanë drejtuar hetimin. Falënderoj policinë e shtetit, është një operacion që ndërlidhet, me personazhe të krimit në Shqipëri që janë aktiv jo vetëm në Shqipëri por edhe në disa vende evropiane përfshirë edhe Spanjën. Operacione te tilla të vijojnë të konsolidohen për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Kjo është një përgjigje për ata që thonë po kokat po kokat pse nuk goditen”, tha Balla.

Në përditësim...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë