Rend dhe Ligj

Arben Ndoka, nga prostitucioni te tjetërsimi i pronave

Ish-deputeti socialist Arben Ndoka i cili akuzohet për tjetërsim pronash në qytetin e Lezhës është arrestuar sot në mbrëmje. Bashkë me të është ndaluar edhe Xhevahir Ndoka, vëllai i sh-deputetit socialist.

Arben Ndoka akuzohet për tjetërsim të qindra mijëra metrave katrorë sipërfaqe tek Rana e Hedhun në Lezhë. Ish-deputeti është ndaluar nga RENEA gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që hetimet për të kishin nisur prej disa kohësh tashmë.

Në një deklaratë të Policisë së Shtetit thuhet se arrestimi i ish-deputetit është kryer pas urdhërit të arrestit të nxjerrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda që ka caktuar masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

“Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj. Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.

46-vjecari Arben Ndoka hyri në Parlament në mënyrë kontroverse. Pas emërimit të Mimi Kodhelit si Ministre e Mbrojtjes dhe lënies së mandatit të deputetes, lindi nevoja e zëvendësimit të saj. Pas Kodhelit, në listën e Lezhës ishin edhe dy kandidate të tjera, të cilat në mënyrë të « cuditshme » dhanë dorëheqjen, duke i lënë kështu rrugë lirë Arben Ndokës që të futej në Parlament. Në atë kohë pati akuza dhe zëra se ato ishin kërcënuar prej tij.

Pas zgjedhjes deputet, Arben Ndoka u vu nën shënjestër të PD-së, e cila gjeti edhe një dokument që provonte se ish-deputeti ishte i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Në atë kohë deputeti Arben Ristani publikoi një dosje, që sipas tij, i përket deputetit socialist Arben Ndoka, i cili rezulton i dënuar nga drejtësia italiane për shfrytëzim prostitucioni dhe heqje të paligjshme të lirisë.

“Kemi këtu dosjen e plotë të deputetit Arben Ndoka, i dënuar nga Gjykata e Romës me 7 vjet e 27 ditë burg nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana të rënduara, dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj personave të tjerë. Gjykatat shqiptare, ajo e faktit në Lezhë, dhe e Apelit në Shkodër kanë bërë njohjen e vendimit të Gjykatës së Romës dhe e kanë ulur masën e dënimit në 4 vjet burgim. Arben Ndoka, është transferuar nga Italia për ta vuajtur dënimin në Shqipëri. Arben Ndoka më pas ka përfituar nga sistemi ynë i drejtësisë lirim para kohe me kusht, dhe në vitin 2005, është liruar. Ky është pra personi që Edi Rama futi në listën e Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit. I rikujtojmë shqiptarëve se për t’i hapur rrugë futjes së Arben Ndokës në Parlament, Edi Rama spostoi dhunshëm dy deputete gra që ishin para Ndokës në listën e kandidatëve. Ky është personi që Edi Rama urdhëron të godasë fizikisht deputetët e opozitës. Kjo është rilindja e Edi Ramës”, deklaroi në atë kohë Ristani.

Kjo e detyroi Ndokën që në vitin 2015 të lërë mandatin e deputetit, duke shkruar edhe një letër drejtuar votuesve ku sqaronte pozicionet e tij. Në një letër publike ai sqaronte se vendimi i dhënë nga drejtësia italiane kishte qenë i padrejtë për të, sepse gjatë jetës së tij në Itali, ai vetëm sa kishte strehuar të vëllanë dhe ish të dashurën e tij, e cila më pas i kishte denoncuar për shfrytëzim prostitucioni.

Familja e ish-deputetit ka qenë vazhdimisht në qendër të sulmeve dhe jo vetëm politike. Nipi i ish-deputetit, Samuel Ndoka 17 vjec, ishte njëri nga tre të arrestuarit për plagosjen e një aktivisti të LSI-së, Florian Dushku, gjatë ditës së zgjedhjeve më 25 qershor 2017.

Ndërsa në dhjetor të vitit të shkuar, persona të paidentifikuar qëlluan për vdekje Aleksandër Ndokën, vëlla i ish-deputetit Arben Ndoka. Aleksanddër Ndoka, këshilltar në Këshillin Bashkiak të Lezhës, u ekzekutua me breshëri automatiku pranë banesës së tij. Ndoka është baba i katër fëmijëve, dy vajzave dhe dy djemve dhe që nga viti 2015 ishte zgjedhur këshilltar në Këshillin Bashkiak të Lezhës, përfaqësues i “Partia Rruga e Lirisë”. Ai rezultonte një person pa precedentë penalë, të paktën kështu thuhej në formularin e dekriminalizimit, që ai ka dorëzuar në KQZ për të vijuar detyrën si Këshilltar Bashkiak.

Në gusht 2016, Arben Ndoka u zgjodh edhe president i Federatës së Mundjes. Interesant është fakti se gjatë votimit të ansamblesë së kësaj federate, ishin dy kandidatë për kryetarë Sajmir Loshi dhe Arben Ndoka. Por kandidati Loshi nuk u paraqit me pretendimin për arsye familjare, ndërsa kandidati Ndoka ishte prezent dhe në fund u shpall president. Në atë kohë Ndoka do të deklaronte : “Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë Ansamble që çuan në vend drejtësinë për zgjedhjen në mënyrë demokratike të organeve drejtuese të Federatës Shqiptare të Mundjes. Jo më kot kam konkurruar për të marrë drejtimin e kësaj federate të rëndësishme të sportit tonë, pasi deri tani ka pasur shumë mangësi ».

Kohët e fundit Ndoka duket se ishte rikthyer sërish, teksa PD e akuzonte se po merrej me fushatën e PS-së në Dibër. Aktualisht ai ishte i angazhuar në strukturat lokale të PS-në në Lezhë.

 

Më Shumë