Rend dhe Ligj

Operacion antidrogë në Vlorë, sekuestrohen 500 kg kanabis me destinacion Turqinë. Arrestohen 7 persona

Gazeta Si - Një operacion antidrogë në Vlorë, në bashkëpunim edhe me forcat RENEA, u finalizua me sekuestrimin e 500 kg kanabis, që kishte si destinacion përfundimtar Turqinë.

Lënda narkotike ishte e paketuar dhe gati për shitje ose trafikim, ndërsa kanabisi me peshë 500 kg ishte i ndarë në 34 pako.

Policia tha se droga u gjet e fshehur në një furgon, teksa po transportohej për t’u ngarkuar në gomone. Shtatë persona janë arrestuar në flagrancë gjatë operacionit “Reset”.

Me mbështetjen e forcave operacionale të DVP, Vlorë dhe forcave RENEA, u bë i mundur arrestimi i shtetasve, Idriz Meminaj, Romir Meminaj, Emanuel Meminaj, Nertin Gjoni, Xhuliano Gjoni, Laurent Likaj dhe Altin Meçi.

Këta persona vepronin në mënyrë të organizuar në aktivitetin kriminal të trafikut të lëndëve narkotike, ndërkohë që disa të tjerë janë në kërkim, por emrat e tyre nuk bëhen me dije për arsye hetimore. Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi dhe dy armë zjarri, si dhe 4 automjete.

Operacioni

Sasia prej 500 kanabis u gjet brenda një furgoni në lagjen “11 Janari” në qytetin e Vlorës dhe do të trafikohej drejt Turqisë në rrugë detare.

Sipas unifromave blu, droga është përpunuar dhe ambalazhuar në magazinën e dy vëllezërve Idriz Meminaj, 39 vjeç, dhe Romir Meminaj, 49 vjeç, banues në fshatin Trevllazër.

Më pas me automjetin e drejtuar nga shtetasi Nertin Gjoni, po e dërgonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar më pas drejt Turqisë.

Por furgoni i mbushur me drogë është bllokuar nga policia në lagjen “11 Janari” dhe gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe sekuestruan 34 pako të madhësive të ndryshme, me kanabis në formë boçeje, me peshe totale 500 kilogramë.

Operacioni i koduar “RESET” ka vijuar me kontrollin e  magazinës, në fshatin Trevllazër, ku janë kapur në flagrancë dy vëllezërit Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj.

Të arrestuarit:

1-Idriz Meminaj, 39 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;

2-Romir Meminaj, 49 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;

3-Emanuel Meminaj, 22 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;

4-Nertin Gjoni, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë;

5-Xhuljano Gjoni, 30 vjeç, banues në fshatin Babicë.

Në vijim të operacionit u ndaluan shtetasit:

6-Laurent Likaj, 37 vjeç, banues në Vlorë;

7-Altin Meçi, 50 vjeç, banues në Patos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë