Ka ndodhur

Trafik droge në Norvegji, shpallet në kërkim kreu i një grupi kriminal. Kontrolle në Tiranë e Lezhë

Pak orë pas operacionit anti-drogë në disa qytete, SPAK ka goditur një grup të strukturuar kriminal, që akuzohet për trafik kokaine dhe pastrim parash.

Në krye të grupit ka qenë një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marijuanë) në Norvegji.   Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale, F.P., i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ka qenë nën hetim në Shqipëri.

Ai ka arritur gjithashtu që të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare.

Sipas SPAK, të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike, dërgoheshin tek shtetasi nën hetim F.P., dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe cash.

Me kërkesë të Prokurorisë, SPAK ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasit F.P., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”  dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, dhe Autoritetet Gjyqësore Norvegjeze, kanë caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj disa personave të cilët dyshohen se janë pjesë e të njëjtit grup të strukturuar kriminal. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurimit ndaj shtetases A. A.

Në kuadër të këtij operacioni, policia kontrolloi disa banesa të disa shtetasve të dyshuar në Tiranë dhe Lezhë, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumente të ndryshme me interes për hetimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë