Futboll

Olimpiakosi dhe Dinamo Zagreb, hapa të sigurt në Champions

Zyrtarisht, janë 26 skuadrat e kualifikuara deri tani për në Champions League, por praktikisht janë 27. Olimpiakosi mundi thellë Krasnodarin, 4-0, në ndeshjen e parë të “play-off”-it dhe mund ta presë i qetë ndeshjen e kthimit në Rusi. Dinamo e Zagrebit mundi 2-0 Rosenborgun mbrëmjen e së mërkurës, kurse në çiftin Jang Bojs-Crvena Zvezda, gjithçka mbetet e hapur, pas barazimit 2-2. Kualifikimi do të vendoset në “Marakana” të Beogradit.

Olimpiakosi feston fitoren ndaj Krasnodarit. Gazeta Si, 22 gusht 2019

Në “Karaiskakis” të Pireut, Olimpiakosi ishte i papërmbajtshëm dhe ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Krasnodari ishte i padukshëm në fushë. Valbuena dhe Podence e furnizuan mjaft mirë sulmuesin Guerrero dhe ishte pikërisht spanjolli që hapi serinë e golave në minutën e 30-të. Ne pjesën e dytë grekët e ulën ritmin, por paradoksalisht shënuan edhe tri herë të tjera. Randjeloviç hyri në fushë në minutën e 75-të dhe shënoi dy herë, kurse Podence 1 minutë para fundit realizoi golin e fundit për Olimpiakosin.

Një barazim shumë të rëndësishëm arriti Crvena Zvezda në Bernë. Joung Bojsi kaloi në avantazh pas 7 minutash me Asale, por serbët barazuan me Degenek. Me fillimin e pjesës së dytë, Marko Marin dha një pasim të saktë për Garsian, i cili debutoi me gol me fanellën e ekipit serb. Zviceranët barazuan me një 11-metërsh të akorduar me VAR dhe të gjuajtur saktë nga francezi Horo. Gjithçka e lehtë për Dinamon e Zagrebit, që mundi pastër Rosenborgun, me gola të Petkoviç dhe Orsiç. Në ndeshjen e kthimit në Norvegji, për kroatët do të jetë më e lehtë ta kontrollojnë këtë rezultat.

Dinamo Zagreb feston një nga golat ndaj Rosenborgut. Gazeta Si, 22 gusht 2019

Mbrëmjen e së martës janë luajtur tri ndeshje të tjera të “play-off”-it në Champions, ku Ajaksi barazoi pa gola në Qipro me Apoelin, Sllavia e Pragës fitoi 0-1 në fushën e Kluzhit në Rumani, ndërsa Bryzhi mundi me të njëjtin rezultat austriakët e Lask Linz në transfertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë