Futboll

Ofertë monstruoze nga Hong Kongu për Interin, Zhang reziston

Ardhja e Bepe Marotës në klub, blerja e Diego Godin nga Atletiko Madrid në verën e ardhshme dhe afrimi i mundshëm i Federiko Kerubinit, janë të gjithë sinjale të vullnetit të “Suning” për ta bërë Interin sërish të madh, për të prishur hegjemoninë e Juventusit. Por në horizont diçka shumë shpejt mund të ndryshojë. Interi mund të ndryshojë pronar. Shtypi italian, veçanërisht “Il Mesaggero”, ka hedhur hipotezën se një fond nga Hong Kongu është shumë i interesuar për blerjen e klubit zikaltër.

Bëhet fjalë për një ofertë paraprake të këtij fondi, por që është refuzuar. Për momentin, Zhang Jindong duket se nuk ka ndërmend ta shesë klubin, por përballë një ofertë më të lartë, që parashikohet të kapë shifrën e 800 milionë eurove, mund të ndryshojë mendje dhe t’u hapë rrugë bisedimeve, që me siguri do të jenë të gjata.

Pronarët e Interit dhe Havier Zaneti

Nuk është hera e parë që flitet për një shitje të mundshme të Interit nga ana e “Suning”, por Zhang gjithmonë i ka përgënjeshtruar zërat. Edhe këtë radhë ai duket i vendosur të rezistojë. Për më tepër, në korrik përfundonte dhe kufizimi nga “Fair-Play” financiar dhe objektivi i Zhang mbetet gjithmonë ai për ta kthyer Interin në majat më të larta të futbollit italian dhe europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë