Futboll

Ofertat e Arsenalit dhe Uest Hemit, Lacio vendos për Tomas Strakoshën

Për portierin shqiptar të Lacios, Tomas Strakosha, janë vënë në garë kohët e fundit disa klube angleze. Bëhet fjalë konkretisht për Arsenalin dhe Uest Hemin, që kanë shfaqur interes për shërbimet e titullarit të Lacios dhe kanë bërë ofertat e tyre. Më parë ishte interesuar edhe Totenhemi, ndërsa verën e kaluar Liverpuli. Presidenti Klaudio Lotito dhe drejtori sportiv Igli Tare, tashmë kanë vendosur për të ardhmen e Strakoshës: ai do të qëndrojë, pavarësisht ofertave.

Portieri kuqezi vlerësohet si një nga pikat kyçe të skuadrës dhe qëndrimi i tij mund të konsiderohet një “blerje” shumë e rëndësishme. Tare, Lotito dhe Inzagi i kanë idetë të qarta, duke nisur nga porta. Edhe pse vazhdojnë të vijnë oferta nga Premier League për Strakoshën, ata nuk kanë në plan ta shesin. Drejtuesit e Lacios kanë refuzuar ofertat e Arsenalit dhe Uest Hemit për portierin shqiptar. “Gazzetta dello Sport” shkruan se Strakosha do të qëndrojë në Romë, pasi Igli Tare ka pasur gjithmonë besim tek ai, që në momentin që erdhi në Itali, edhe kur kishte vështirësi të luante në vazhdimësi me të rinjtë. Prestigjiozja italiane evidenton faktin se Tare është shumë mik me babanë e Tomasit, Foto Strakoshën. Te Lacio besojnë se portieri shqiptar do të rritet edhe më shumë në sezonet e ardhshme.

Tomas Strakosha me fanellën e Shqipërisë

Emri i Tomas Strakoshës është hequr tashmë nga lista e lojtarëve, të cilët mund të largohen këtë verë nga Lacio, nëse vijnë oferta bindëse për drejtuesit e klubit. Për momentin, portieri kuqezi është i pashitshëm. Nga Lacio pritet të largohen Kaisedo, Milinkoviç-Saviç dhe ndoshta Luis Alberto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë