Politike

Pse ministri i Jashtëm serb iu këndon të gjithë udhëheqësve që vizitojnë Beogradin

“Nëse nuk do të isha politikan, do të isha këngëtar”. Me këto fjalë u përgjigjej Ivica Daçiç në 2014 interesimit të gazetarëve serbë mbi pasionin që ka për muzikën. Në atë kohë ai u vendos në qendër të vëmendjes të mediave në Beograd pas raportimeve të shumëfishta se gjatë samitit të 16 vendeve të Europës Lindore dhe Jug-lindore me Kinën kishte shpalosur jo vetëm talentin në diplomaci, por edhe në muzikë.

Ministri i Jashtëm serb është parë duke kënduar në shumë darka si formale ashtu edhe joformale, hera herës duke nderuar mysafirët e tij dhe hera herës duke rënë pre e kritikave të shumta për mungesën e seriozitetit por edhe për mungesën e veshit muzikor.

Ashtu siç pritej, ish-kryeministri serb ia mori sërish këndës në nder të presidentit Vladimir Putin, të cilit i dha një mikpritje të ngrohtë duke përshirë në repertorin e tij “diplomatik” dy këngët më të famshme ruse, “Kalinkan” dhe “Ryabinuskun”.

Në drekën ceremoniale në Pallatin Presidencial të Serbisë, kreu i diplomacisë serbe mirëpriti fillimisht “vëllezërit nga Rusia” me raki ftoi, duke u dhuruar sipas mediave të vendit fqinj, edhe disa shishe për t’i marrë me vete.

“Vucic më kërkoi të këndoj ‘Kalinkan’ dhe unë jam nderuar”, tha ai. “Homologut Sergei Lavrov i dhurova një shishe raki ftoi, por Putinin vendosa ta mirëprisja me një këngë”.

Daçiç nuk ishte kreu i delegacionit serb, por i vetmi politikan me të cilin presidenti rus pati një takim të ngrohtë, pas uljes në aeroportin e Beogradit, ku e përqafoi dhe e puthi në faqe.

https://www.youtube.com/watch?v=o4ksRr3eWog

Në Serbi, Daçiç shihet si një prej politikanëve më prorusë në vend. Këto merita ja ka njohur edhe vetë Putini në janar të 2018, kur i dha medaljen e “Urdhrit të Miqësisë”. Ai perceptohet në vend si ideatori i qëndrimit serb për “anëtarësim në Bashkimin Europian” dhe “ruajtjen dhe forcimin e miqësisë me Rusinë”.

“Vizitat e Putinit janë zakonisht të shkurtra dhe nuk ka shumë mundësi për një atmosferë më relaksuese. Meqë ra fjala, edhe Putinit vetë i pëlqen që të këndojë dhe nëse do të më jepet mundësia do të këndoj këngën më të bukur ruse, Kalinka. Kjo këngë është pjesë e repertorit tim diplomatik dhe e kam kënduar jo vetëm për rusët, por edhe për europianët dhe amerikanët, të cilët e pëlqejnë dhe duartrokasin gjithmonë”, deklaronte ministri i Jashtëm serb për Vecernje Novosti më 1 janar 2019.

Edhe pse është kritikuar pa fund në rrjetet sociale, ekspertët thonë se në fakt kënga është “arma” më e fuqishme diplomatike e ministrit të jashtëm serb jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve të vendit të tij me “miqtë” por edhe uljen e tensioneve me “armiqtë”.

Kjo u bë më se e qartë në një darkë në Paris në fillim të korrikut, kur Daçiç “rrëmbeu” papritur mikrofonin, duke thënë se duhet t’i plotësonte dëshirën e ditëlindjejes kryeministrit Edi Rama.

"Ku është orkestra?" pyeti ministri, para se të fillonte të këndonte "O Sole Mio" dhe "Santa Lucia". Rama u pa duke buzëqeshur, edhe pse marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk ishin në atë kohë kulmin e tyre, për shkak të përplasjeve në lidhje me Kosovën.

Për një sërë profesorësh serbë, muzika e ndihmon Daçiç që të harrojë jo vetëm pasiguritë e brendshme politike, por edhe të “zbusë” përplasjet gjeopolitike me vendet e tjera.

Darkë në Paris nuk ishte rasti i vetëm kur ministri serb i kushtoi Ramën një këngë. Ai gjithashtu i këndoi kreu shqiptar "O Sole Mio" në nëntor të vitit 2014, gjatë vizitës së parë të Ramës në Serbi.


Kryeministri Edi Rama dhe Ivica Daçiç

"Nëse kënga mund të lehtësojë tensionet, kjo është më e pakta që mund të bëj për vendin tim", tha Daçiç për të përditshmen “Kurir” pas “koncertit” që mbajti për kryeministrin shqiptar.

Ai këndoi për herë të tretë në nder të Ramës një muaj më vonë gjatë samitit të liderëve të Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore, në Beograd, darkë gjatë të cilës duket se kishte pasuruar repertorin e tij edhe me disa këngë popullorë serbe.

“Performancat” e Daçiçit zemëruan shumë nga mediat nacionaliste të Serbisë, por si për çudi, marrëdhënit mes Beogradit dhe Tiranës ishin në atë periudhë në kulmin e tyre. Pas disa muajsh presidenti serb vizitoi Shqipërinë, dhe si Rama ashtu edhe Vuçiç u zotuan për më shumë bashkëpunim rajonal.

Këngëtari “serenatave diplomatike”duket se ndoqi të njëjtën strategji e presidentit Ergogan të cilin vendosi ta mirëpriste me një këngë “alla ballkanike”. Ndasia për çështjen e Kosovës, jo vetëm që nuk e zbehu këtë vizitë, por Erdogan u prit me nderimet më të larta dhe sigurisht me “këngë e valle” nga Ivica Daçiç. Në darkën e shtruar, shefi i diplomacisë serbe rrëmbeu mikrofonin dhe këndoi në turqisht këngën e Osman Agës duke lënë me gojë hapur miqtë e tij.

Pas kësaj vizite, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë, morën një kthesë të papritur duke u bërë më të fuqishme se kurrë. Tanimë Serbia konsiderohet si “porta hyrëse” e Turqisë në Ballkan, ndërkohë që Beogradi ka parë një “bum investimesh” nga nënshkrimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Serbisë dhe Turqisë. Se sa rol ka luajtur kënga e Ivica Daçiç në nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve nuk mund të përcaktohet, por frutet e asaj vizite po piqen në vazhdim edhe sipas parimit “miku i mirë në ditë të vështira”.

https://www.youtube.com/watch?v=CoKLVgXQfeU

Të tilla ishin ditët për ekonominë e Serbisë pas vendosjes së taksës 100 për qind nga qeveria e Ramush Haradinajt. Taksa dëmtoi rëndë eksportet serbe, që nisën të kërkojnë të tjera tregje më të favorshme. Tregu i madh turk ekzistonte si mundësi për eksportuesit serbë, por ai u bë më joshës pas vendimit të Ankarasë për të hequr të gjitha taksat për importet serbe, disa ditë pasi Prishtina kishte ngritur barrierën 100 për qind.

Rastësi ose jo, erërat frynë gjithnjë në favor të Serbisë sa herë që Daçiç rrëmben mikrofonin. Një natë pasi ai këndoi një këngë të Cecas në një darkë zyrtare, BE-ja vendosi  të japë statusin e vendit kandidat për Serbisë. Daçiç ka ndryshuar shumë poste në qeveritë e Serbisë, por 'Miljacka' ka mbetur kënga e tij të preferuar, sidomos në darkat me përfaqësuesit e BE-së.

Disa ekspertë thonë me ironi se nëse humbet punën si ministër i jashtëm, Daçiç e ka siguruar tanimë karrierën si këngëtar. Të tjerë thonë se ai ka përdorur çdo mundësi për të kënduar, duke filluar nga ceremonia e fitores medaljes së argjendtë nga ekipin e hendbollit të Serbisë, për të përfunduar më një darkë zyrtare me Catherine Ashton, diplomaten britanike që po ndërmjetësonte bisedime delikate mes Kosovës dhe Serbisë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ministri serb ka kënduar po ashtu një duet me Sergei Lavrov në një darkë zyrtare me ministrat e jashtëm të OSBE-së në Beograd. Nuk është e paktë të thuash se çdo udhëtim i zyrtarëve të huaj në Beograd përfundon me një performancë muzikore nga ministri i Jashtëm serb, pasi “kënga” është arma më e fuqishme diplomatike që Daçiç ka në dorë tani për tani.

Në prill të 2018, Ivica Daçiç i këndonte homologut të tij grek, Nikos Kotzias. Kënga ishte përzgjedhur me kujdes, që jo vetëm të argëtonte të pranishmit, por edhe të përcillte fuqishëm simbolikën e marrëdhënieve të ngushta mes dy popujve të bashkuar nga ortodoksizmi. Ajo titullohej “Mi mou thymonis matia moy”, që himnizon dashurinë mes një ushtari serb dhe një vajze greke gjatë Luftës së Parë Botërore.

https://youtu.be/jPs55ZlZcAg

Sukses i muzikës dhe talentit të Daccicc, apo jo, por Athina përgjatë 2018, edhe pse në krye të qeverisë drejtohej nga liberalë nuk u lëkund nga qëndrimi i vet për të mos e njohur Kosovën, përkundrazi, i përforcoi zërat sipas të cilëve pavarësia e Kosovës kalon nga Beogradi.

Edhe në këtë rast nuk mund të përcaktohet se ç’rol ka luajtur pasioni i Ivica Daçiç për këngën, por mund të thuhet me bindje se kryediplomati serb vështirë se do të heqë dorë nga kjo strategji e tij, që shumë e interpretojnë si një “ofensivë sharmante diplomatike”. Se çfarë pret në të ardhem e afërt ministri i Jashtëm serb, edhe me ndihmën e kësaj ofensive, e bëri të qartë po në intervistën e dhënë për “Vecernje Novosti”.

“Vende të tjera do të tërhiqen nga njohja e pavarësisë së Kosovës dhe numri i atyre që do ta njohin do të zbresë nën 100 këtë vit”, deklaron ai me bindje. Viti sapo ka nisur dhe fundi i tij ose do të provojë vërtetësinë, ose jo të kësaj deklarate. Deri atëherë, Ivica Daçiç do të ketë plot raste të tjera për të kënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë